Erion Braçe i quajti “kartel”, kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve e sfidon LIVE: Këtë vend e ka mbuluar padija, deputeti të kërkojë falje

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, i ftuar në emisionin Top Story, ka sqaruar funksionimin e tregut të karburanteve në Shqipëri. Ai tha se aktualisht janë 254 kompani me licencë, ku rreth 6 janë më të mëdhatë si Kastrati, Gega, Europetrol, ndërsa GP furnizon mbi 90% të tregut të naftës. Sipas tij, hyrja e Shell ka sjellë çmime të reja në treg, duke rritur konkurrencën.

Aliaj theksoi se Shoqata e Hidrokarbureve nuk shet dhe nuk blen karburant, por vetëm studion tregun dhe jep udhëzime. Ai kujtoi se shoqata është hetuar 8 herë nga Autoriteti i Konkurrencës pa u gjetur shkelje.

Ne e fitojmë bukën me punën tonë, jo me taksat e qytetarëve, nuk jemi kartel siç na qujanë të pa diturit, sepse Shoqata e Hidrokarbureve as nuk shet as nuk blen”, u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur akuzave të ish-deputetit Erion Braçe, i cili e ka cilësuar Shoqatën si “kartel” që ndikon në çmimet e naftës, Aliaj i quajti këto deklarata “sofizma”. Ai tha se nuk ka favore, por kompani që marrin më shumë treg falë punës dhe shërbimit.

Në fund, Aliaj e ftoi publikisht Braçen të marrë përgjegjësinë për transparencën në treg ose, sipas tij, të kërkojë falje.

“Shoqata nuk është kartel, nuk shet e nuk blen. Nëse ka bindje të kundërta, le të vendoset në krye të Bordit të transparencës dhe të mbajë përgjegjësi ose të kërkojë falje”, deklaroi ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT