Edi Rama nuk e pranon dot rezultatin e kryeqytetit, kërkon me çdo kusht mobilizim për “rezervuarin e madh të Tiranës”, vlerëson drejtuesit e Shkodrës dhe Lezhës: Punë e jashtëzakonshme (REFLEKTIMI)

Kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka kërkaur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, një organizim rrënjësor, me çdo kusht, të ekipit të Tiranës për ta ngjitur atë lart në tabelën e rezultateve elektorale.

“Tirana nuk mund të jetë aty”, u shpreh ai me vendosmëri, teksa pas shpine shfaqej tabela me rezultate negative për qarkun, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Arsyet janë të ndryshme tha ai, duke evidentuar edhe atë të kryebashkiakut, por nuk zgjodhi të thellohej më shumë në reflektimin e tij.

“Shkodra dhe Lezha kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Tirana nuk mund të jetë në asnjë mënyrë aty (i referohet tabelës negative), arsyet janë të ndryshme, ka dhe një arsye të madhe që ne e dimë, por ne jemi PS dhe ne duhet ta ngremë Tiranën më lart se mesi i atij klasifikimi. Me çdo kusht”, u shpreh ai ndër të tjera.

Ogerta Manastirliu do të vazhdojë të jetë drejtuesja politike e PS në Tiranë, ndërsa Edi Rama ka sjell edhe Damian Gjiknurin. Deputeti që tashmë identifikohet mes socialistëve si “njeriu i tërmeteve”, është sjell në kryeqytet për shkak të nevojës së madhe të socialistëve për riorganizim në qarkun më të madh të Shqipërisë.

Tirana është ndarë në 32 zona elektorale dhe në punimet e Asamblesë Kombëtare është vendosur që të ketë 2-3 deputetë të deleguar për çdo njësi dhe zonë elektorale të qarkut, raporton newsbomb.al.

Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi në nisje të Asamblesë, në analizën e rezultateve elektorale, e ka cilësuar Tiranën si “rezervuarin më të madh të votave për PS”, ndaj dhe në kryeqytet ka ndodhur ky organizim i fortë, i detyruar.

Më tej, në fjalën e tij, Edi rama e konsideroi të pafalshëm faktin që numri i grave në Parinë Socialiste mbetet ende nën gjysmë e anëtarësisë.

“… unë e konsideroj të pafalshme, shifra e grave në PS është 34%. Është e vetmja gjë që nuk më erdhi mirë nga prezantimi që bëri Sekretari i Përgjithshëm. Ne jemi në pushtet falë grave. Ne duhet ta çojmë në 50%, duke mos e pranuar që nuk ka gra”, u shpreh lideri socialist.

Deri tani mbledhja ka qenë me dyer të mbyllura dhe ka rinisur menjëherë më fjalën e Edi Ramës. Në përfundim të saj, pritet që Asambleja Kombëtare të njoftojë zyrtarisht ndryshimet. Më poshtë, disa ndryshime të tjera në njësitë e Tiranës:

– Lindita Nikolla në njësinë 1.

– Iris Luarasi dhe Edona Bilali në njësinë 3.

– Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti në njësinë 4.

– Erion Braçe, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj në njësinë 5.

– Albana Koçiu, Endrit Yzeiraj, Megi Fino në njësinë 6.

– Sofjan Jaupaj dhe Enkelejd Musabelliu në njësinë 7.

– Igli Hasani dhe Vilma Premti në njësinë 8.

– Ogerta Manastirliu dhe Olti Muzaka në njësinë 9.

– Besfort Lamallari në njësinë 10.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT