Dy valle myzeqare shpallen vlerë Kombëtare e trashëgimisë, hapet rruga për UNESCO

Dy valle të njohura të traditës së Myzeqesë janë përfshirë zyrtarisht në listën e vlerave kombëtare të trashëgimisë kulturore jomateriale. Bëhet fjalë për Vallen e Ngjalës dhe Vallen Dyshe Myzeqare, të cilat tashmë gëzojnë statusin e mbrojtjes si pasuri kulturore kombëtare.
Ky vlerësim erdhi pas aplikimit të bërë nga Bashkia e Lushnjës pranë Ministria e Kulturës e Shqipërisë, proces që u shoqërua me një punë rreth gjashtëmujore për përgatitjen e dokumentacionit përkatës.
Vendimi i ekspertëve në ministri hap gjithashtu rrugën për një hap tjetër të rëndësishëm, aplikimin për përfshirjen e këtyre valleve në listat e UNESCO.
Vallja Dyshe Myzeqare konsiderohet një nga vallet më të ndërlikuara të zonës së Myzeqesë, me më shumë se 200 elemente të ndryshme lëvizjeje që kërkojnë koordinim dhe mjeshtëri të veçantë nga interpretuesit. Ndërkohë, Vallja e Ngjalës njihet si një valle rituale shumë e hershme, e dallueshme për formacionet dhe strukturën e saj karakteristike.