Dje Berisha, sot Adriatik Lapaj! Vazhdojnë “vizitat” poshtë zyrës së Ramës, kreu i “Shqipëria Bëhet” thirrje popullit që të zgjohet: Ju i fuqizuat këta

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka mbajtur protestën e paralajmëruar përpara godinës së Kryeministrisë, ku dhjetëra qytetarë dhe mbështetës janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kjo shënon protestën e pestë kombëtare të organizuar nga kjo lëvizje, ndërkohë që prej më shumë se dy muajsh kreu i kësaj lëvizje së bashku me mbështetësin e tij janë duke vijuar qëndresën e tyre poshtë zyrës së Ramës.
Gjatë fjalës së tij ditën e sotme, Lapaj theksoi se protesta nuk do të ndalet, pavarësisht presioneve me të cilat ata hasen çdo ditë.
Sipas tij, qëndresa buron nga bindja se përballja është mes padrejtësisë dhe drejtësisë, mes pushtetit dhe qytetarëve të zakonshëm. Ai u shpreh se shumë qytetarë hezitojnë të reagojnë për shkak të frikës për vendin e punës, biznesin apo ndihmën ekonomike, por paralajmëroi se askush nuk është i paprekshëm nga problemet me shtetin.
“Pse nuk po ndalemi asnjë çast? Edhe pse këta me makuterinë e tyre kanë bërë çdo gjë që të ikim nga ky shesh. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në betejën mes padrejtësisë dhe pushtetit dhe drejtësisë dhe popullit të vjedhur nga ana tjetër, ne na duhet me gjithë shpirt të rreshtohemi krah drejtësisë. Shumë mendojnë janë mirë, shumë mendojnë se kanë një rrogë apo dy, një pjesë tjetër kanë frikë për bizneset e tyre, një pjesë tjetër kanë frikë se mos ua heqin ndihmën ekonomike apo përfitime të tjera që marrin nga shteti.
Vëllezër, ti, ju jeni mirë deri ditën që nuk keni rënë në hall, sepse ditën që keni rënë në hall me këtë shtet jeni keq. Kjo po dëshmohet çdo ditë. Ju jeni të vetëm kur përballeni me sëmundje sepse kur vjedhja e ilaçeve nuk ka trokitur në derën tuaj ju keni heshtur. Duke heshtur ju bëtë që këta të fuqizohen, t’ju shtypin. Ndaj ne kemi vendosur të mos heshtim, të qëndrojmë pa u ndalur sepse ne dimë që nuk ka rrugë tjetër, përveç qëndresës dhe goditjes së pandalshme të një sistemi që vjedh dhe vetëm vjedh”, tha Lapaj.
Vlen të theksohet se kjo protestë e Lapajt vjen vetëm një ditë pas protestës së mbajtur nga Sali Berisha, i cili mbrëmjen e së shtunës shkoi poshtë zyrës së Ramës, por ndryshe nga herët e tjera ai vendosi që të mos e qëllonte me molotovë, si dhe të mos mbante as edhe një fjalim.