DETAJE nga shpërthimi në Tiranë! Kamerat kapën autorin, paralajmërimi për Oltjon Klosin dhe jeta e tij mes Shqipërisë dhe Spanjës

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e regjistruar pak pas mesnatës në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:50, në rrugën “Vasil Ndocka”, ku automjeti në pronësi të shtetasit Oltjon Klosi u hodh në erë.

Sipas informacioneve paraprake, në automjet ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila shpërtheu duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Hetimet kanë zbuluar edhe disa elemente të reja mbi mënyrën se si është kryer sulmi. Autori i dyshuar është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë në momentin kur afrohet pranë automjetit. Ai dyshohet se ka mbërritur me biçikletë, ka vendosur lëndën plasëse në mjet dhe më pas është larguar sërish me të njëjtin mjet në drejtim të paditur.

Pas ngjarjes në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën krehjen e zonës dhe mbledhjen e provave.

Oltjon Klosi rezulton se jeton mes Shqipërisë dhe Spanjës, ndërsa hetuesit po verifikojnë nëse aktiviteti i tij në shtetin spanjoll mund të ketë lidhje me vendosjen e lëndës plasëse. Po ashtu, ai figuron me precedent penal në Shqipëri për konflikte të mëparshme, element ky që po merret në shqyrtim nga autoritetet.

Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa janë sekuestruar pamje filmike nga kamerat e sigurisë në zonë që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më datë 10.03.2026, rreth orës 01:50, në rrugën “Vasil Ndocka”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjetin e parkuar në pronësi të shtetasit O. K., 36 vjeç. Nga shpërthimi nuk ka persona të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT