DAP, URE dhe NITRAT me çmime në qiell, fermerët denoncojnë rritjen abuzimeve të plehrave bujqësore

Fiks Fare publikoi mbrëmjen e së enjtes denoncime të shumta të fermerëve në disa qytete, që ankohen se pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të inputeve bujqësore, kanë rritur çmimet brenda një kohe të shkurtër.
Emisioni investigativ bëri një vëzhgim në zonën e Myzeqesë, në Lushnje dhe Divjakë, te fermerët që ankohen për çmimet e larta dhe te pikat e shitjes, që thonë se çmimi i inputeve (DAP, URE dhe NITRAT) është rritur artificialisht gjatë kohës së luftës në Iran.
Kamera e Fiksit shkoi në fushat e Tërbufit në Divjakë, në një nga zonat më pjellore për bujqësinë. Grupi i Fiks Fare bisedoi me një fermer, i cili ka mbjellë disa hektarë me grurë. Ai deklaron se çmimet e larta të inputeve bujqësore po i falimentojnë.
“Kam mbjellë grurë, por po dalim me humbje. I kuintal me ure e blinim disa javë më parë me 5 mijë lekë kuintalin, tani ka shkuar në 6.5 mijë apo 7 mijë lekë. Rritet çdo ditë. DAP-in e merrnim me 7 mijë lekë, tani ka shkuar në 10 mijë lekë dhe nuk e gjen fare. Nitrati nga 4.5 mijë lekë kuintali, ka shkuar në mbi 6 mijë lekë. Thonë lufta andej, po ç’na duhet ne lufta se këta gjendje i kishin dhe i kanë rritur artificialisht. Shteti i di të gjitha po nuk vepron” thotë Fiqiri Sinani, nga fshati Tërbuf.
Ai shton se me këto çmime, shumë toka në gjithë zonën kanë mbetur djerrë. Disa i kanë vënë në shitje se s’dalin me fitime. “Kanë ikur, se as subvencione s’marrin. Na japin 10 litra karburant për 1 hektarë. Çdo bëjmë me aq? Po plugimi që tani do mbi 20 mijë të vjetra 1 dynymë. Shtoji frezimin, mbjelljen, korrjen e duart e plehrave” vijon Fiqiriu.
Në fushat e Tërbufit, gazetarët e Fiks Fare pikasin edhe një tabelë “shitet toka”. Gazetarët kontaktojnë në telefon me pronarin dhe thotë se po e nxjerr në shitje me 4 milionë lekë të vjetra 1 dynymë. E pyesin se përse po e shet, ai thotë se “për arsyet e mia”. Më pas, grupi i Fiks Fare shkon në tregun e Divjakës, ku takojnë disa fermerë, një që ka mbjellë presh dhe tjetrin me lakra. “S’po shkojnë, 200 lekë kilogrami preshit dhe s’pyet njeri. S’po e shes dot, kam pasur shumë shpenzime. Kush do t’m’i japë” thotë një fermer.
Ndërkohë, një tjetër shton se çmimi i 1 kg lakër është 50 deri në 70 lekë të vjetra. “As shpenzimet s’po marrim dot. Këta i kanë pasur në gjendje plehrat kimikë për tokën dhe tani i kanë rritur shumë. S’po marrim vesh gjë dhe shteti as nuk ndërhyn. Pse nuk e di shteti se kur kanë importuar për herë të fundit plehra ato firma” vijon një tjetër.
Fiks Fare shkoi në disa pika të shitjes me shumicë dhe pakicë të plehrave kimikë. Punonjësit e këtyre pikave ia hodhën fajin luftës në Iran, teksa thonë se çmimet do të rriten. Pikat e vogla të shitjes deklaruan se rritja ka ardhur në muajin mars 2026, ndërkohë që nuk dihet se sa do të zgjasë.