Çmimi i naftës në Shqipëri më i larti në rajon, por qeverisë nuk i duket “alarmante”! Bordi i Transparencës opsion në tavolinë, ndërsa Greqia merr masa për lehtësimin e qytetarëve

Në një kohë kur çmimi i naftës në Shqipëri vijon të jetë ndër më të lartët në rajon dhe ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, qeveria shqiptare nuk e konsideron ende alarmante situatën për të rikthyer Bordin e Transparencës për karburantet. Ndërkohë, vendet fqinje kanë nisur të ndërmarrin masa konkrete për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët.

Qeveria greke ka njoftuar një paketë masash emergjente për të përballuar presionin e rritjes së çmimeve, në kushtet e tensioneve ndërkombëtare dhe krizës në Lindjen e Mesme. Masa kryesore parashikon vendosjen e një tavani mbi marzhin e fitimit për karburantet, ushqimet dhe mallrat bazë të konsumit, me qëllim frenimin e fitimeve të pajustifikuara në treg.

Sipas vendimit të autoriteteve greke, në sektorin e karburanteve marzhi i fitimit në tregtinë me shumicë nuk do të mund të kalojë 5 cent për litër, ndërsa për pikat e shitjes me pakicë kufiri është vendosur në 12 cent për litër. Këto masa do të qëndrojnë në fuqi për një periudhë tre mujore dhe synojnë stabilizimin e çmimeve në treg.

Ndërkohë në Shqipëri, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se rikthimi i Bordit të Transparencës mbetet një mundësi që po shqyrtohet, por sipas vlerësimit aktual të qeverisë situata nuk ka arritur ende në nivelin që kërkon aktivizimin e këtij mekanizmi.

Ajo bëri të ditur se qeveria po monitoron nga afër zhvillimet në tregun e karburanteve, duke ndjekur si çmimet në bursat ndërkombëtare për naftën, benzinën dhe gazin, ashtu edhe çmimin me të cilin karburanti hyn në vend përmes doganave dhe atë me të cilin shitet në treg.

“Për të ngritur alertin për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar gjatë për luftën. Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruara, qoftë çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim. Gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kemi pasur një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit, nëse do ketë rritje të mëtejshme do të futemi në atë regjim”, tha Ibrahimaj.

Ministria e Financave ka ngritur gjithashtu një task-forcë të përbashkët mes administratës së Doganave dhe Tatimeve, e cila do të ketë në fokus kontrollin e tregut të hidrokarbureve për të parandaluar abuzimet me çmimet. Kontrollet do të shtrihen si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, duke verifikuar jo vetëm çmimet, por edhe sasitë e hidrokarbureve që tregtohen nga operatorët.

Aktualisht, çmimi i naftës në pikat e karburanteve me pakicë në Shqipëri ka arritur deri në rreth 201 lekë për litër, rreth 25 lekë më shumë krahasuar me vetëm një javë më parë, duke rritur presionin mbi buxhetet familjare dhe kostot e biznesit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT