AUDIO: “Ku do ta bësh sh..rrën, po m..tin, ju jeni idiotë”! A është Rama në telefon? Banori i Tragjasit publikon telefonatën

Orgen Peci – DITA

Një video e regjistruar nga një banor i Tragjasit po qarkullon masivisht në rrjetet sociale, duke rindezur debatin për çështjen e ujit dhe dyshimet e komunitetit se burimet e zonës po orientohen drejt investimeve turistike.

Në pamje është një bisedë telefonike mes banorit dhe kryeministrit Edi Rama – sipas banorëve të Tragjasit që kanë hedhur regjistrimin në rrjete sociale.

Qytetari i drejtohet me një pyetje të drejtpërdrejtë: Përse po ndërtohen kanalizime të reja, kur fshati i ka tashmë funksionale? Sipas banorit, ndërhyrjet e reja ushqejnë bindjen se po përgatitet infrastruktura për të marrë ujin nga zona drejt resorteve luksoze.

Gjatë bisedës, kryeministri e mohon kategorikisht këtë pretendim dhe reagon me ton të lartë, i acaruar nga dyshimet.

Në video dëgjohen shprehje përçmuese dhe nervozizëm i hapur ndaj pretendimeve të banorit, duke e konsideruar absurd dhe të pabazë aludimin se qeveria po i merr ujë fshatit për interesa private të rezidencave të luksit që po ndërtohen në bregdet nga investitorët strategjikë.

Në një moment, reagimi kalon në gjuhë të ashpër dhe ofenduese, çka është edhe arsyeja pse videoja u bë menjëherë virale.

Kjo përplasje nuk vjen në boshllëk. Çështja e ujit në zonë është diskutuar edhe më parë, ndërsa Rama, sa herë është pyetur publikisht për akuzat se burimet po përdoren për resorte apo investitorë të mëdhenj, i ka hedhur poshtë si spekulime dhe manipulime.

Megjithatë, pyetja e ngritur nga banori – “pse duhen kanalizime të reja kur ekzistojnë?” – mbetet thelbi i mosbesimit lokal.

Për një pjesë të komunitetit, investimet infrastrukturore pa transparencë të plotë ngrenë dyshime për prioritetet reale të projekteve.

Videoja e fundit ka thelluar ndarjen: nga njëra anë qeveria që mohon çdo devijim uji; nga ana tjetër banorët që kërkojnë garanci dhe sqarime teknike të detajuara.

Mbi të gjitha, një fakt politik mbetet i dukshëm. Sa herë që hapet tema e ujit dhe resorteve, reagimi i kryeministrit bëhet i ashpër.

Debati duket qartë që nuk është vetëm për kanalizime apo për burime natyrore. Është për besimin.

Qytetari: Kanalizimet, që ju do t’i bëni Tragjasit, për çfarë funksioni do na interesojë? Fshatit?

Rama: Kanalizimet që… Për çfarë funksioni do të interesojë? Po se do ta vazhdosh ta lësh shurrën në rrugë mo? Po m..tin? Nuk të duhen për shurrë, kanali për shurrë, do ta fusësh në kanal, do vazhdosh ta hedhësh në baçe?

Qytetari: Po ato janë bërë. Çfarë, do bësh prapë nga e para?

Rama: Kush, kush janë bërë, cilat?…Ore je në vete, ore je në vete apo jo? Ore jeni në vete ju mo? Çfarë njerëzish jeni ju? Jeni komplet…

Qytetari: O, zoti kryeministër, ato që po thua, ato janë bërë. Do t’i qepësh nga e para, do t’i bësh?

Rama: More zotëri, atje nuk është bërë asgjë. Dëgjon çfarë po të them unë ty? Nuk është bërë asgjë.

Qytetari: 15 vjet janë bërë tubacionet. Më fal..

Rama: Po çfarë do të të fal kur s’ke… kur flet budallallëqe? Si do të të fal? Po… kam kohë për të humbur me ty të dëgjoj budallallëqe se e di sa budallallëqe kam dëgjuar nga ju këto ditë apo jo? Jam ngopur, e kupton?

Se, ju jeni të çmëndur, po unë jam gjysëm të paktën, se kam një gjysëm andej nga ato zonat andej. Po jam gjysëm i çmëndur, ju jeni të çmëndur komplet mo burrë. Ju jeni njerëz komplet out. Po çfarë është kjo, ç’është kjo mënyrë mo? Si jeni kaq të çmëndur, kaq idiotë? Po si, po si mund të, si mund të mendoni…

Qytetari: Zoti kryeministër, më idiot nga ty nuk ka, që ta vdesësh një fshat edhe të thuash fshati është idiot…

Rama: Mos më bërtit mua se nuk i thashë idiot fshatit të Tragjasit, se po flas me ty dhe i thashë dhe vetes time gjysëm i çmëndur.

Qytetari: Tragjasin nuk e ka shuar dot gjermani dhe nuk e shuan dot ti, zoti kryeministër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT