Atentati ndaj Gilmando Danit, merret i pandehur ish-drejtori i komanduar i AMP-së

Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artion Saliasi, është marrë i pandehur në lidhje me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljani (Sheqerit).

Ky i fundit mbeti i vrarë në një makinë me Gilmando Danin më 11 nëntor pasi dolën nga aeroporti i Rinasit.

Saliasi është marrë i pandehur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe AMP-së për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Mbështetëse në AMP, Gëzim Sala, është marrë i pandehur, pavarësisht se është rikthyer në detyrë pasi Apeli i hoqi masën e pezullimit nga detyra rreth 1 muaj më parë.

Kujtojmë se Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga Barcelona kur ndaj tyre u bë atentat në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit. Dani humbi jetën menjëherë, ndërsa Shaljani mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital.

Gilmando Dani, i cili mendohet se ishte shënjestra e sulmit, ishte emër i njohur për drejtësinë, pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT