Analizë: Pas votimit për Ballukun, një sinjal tensioni mes qeverisë dhe ambasadave europiane?

Vendimi i Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku prodhoi menjëherë një valë reagimesh diplomatike që rrallëherë shfaqen kaq të njëpasnjëshme në raport me një vendim parlamentar në Shqipëri. Në vetëm pak orë, pas votimit me 82 vota kundër, reaguan ambasadat e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Holandës, ndërsa më pas një qëndrim erdhi edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Në thelb, të gjitha këto reagime duket se ndajnë një shqetësim të përbashkët, që ka të bëjë me nevojën që sistemi i drejtësisë të ketë mundësi të veprojë pa pengesa, veçanërisht kur bëhet fjalë për hetime që prekin nivelet e larta të politikës.
Ambasada britanike theksoi në reagimin e saj se ruajtja e sundimit të ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë elementë thelbësorë të reformës në drejtësi që nga viti 2016. Sipas saj, imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, por nuk duhet të shndërrohet në pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit.
Në të njëjtën linjë, reagimi i ambasadës gjermane vendosi theksin te procesi i integrimit europian. Në reagimin e ambasadës gjermane vihet theksi te ajo se ndjekja penale efektive e korrupsionit, edhe në rastet e rangut të lartë, është një kusht i domosdoshëm për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe se politika duhet të garantojë që ky proces të zhvillohet pa pengesa.
Edhe ambasada holandeze shprehu një qëndrim të ngjashëm, duke nënvizuar se një nga kërkesat kyçe për integrimin në BE është pikërisht ndjekja efektive e korrupsionit në nivelet më të larta. Sipas saj, sistemi i drejtësisë duhet të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa, ndërsa përgjegjësia për të krijuar këtë mjedis i takon edhe politikës.
Pak më vonë, një reagim erdhi edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian, të cilat theksuan se angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit mbeten elementë kyç për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në deklaratë u nënvizua gjithashtu se krijimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për progresin e besueshëm drejt integrimit.
Përballë këtyre reagimeve, kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë në rrjetet sociale, ku theksoi se parimet e shprehura nga ambasadat janë të përbashkëta dhe të pranuara nga të gjithë, por argumentoi se Kuvendi ka vepruar sipas normave kushtetuese. Rama insistoi se deputetja Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vazhdojë pa ndërhyrje apo presione nga faktorë jashtë sistemit gjyqësor.
Në reagimin e tij, kryeministri mbrojti vendimin e shumicës parlamentare, duke argumentuar se kërkesa për një masë ekstreme si arrestimi i një deputeti kërkon kushte të qarta dhe se parlamenti ka vepruar brenda kufijve të kompetencave të tij kushtetuese. Ai shtoi se reforma në drejtësi nuk do të kthehet pas dhe se mbështetja për SPAK mbetet e palëkundur.
Megjithatë, ajo që bie në sy në këtë zhvillim diplomatik është fakti se reagimet e ambasadave europiane kanë ardhur në një mënyrë pothuajse të koordinuar dhe me një mesazh të përbashkët, duke e lidhur çështjen jo vetëm me vendimin konkret të Kuvendit, por edhe me standardet e sundimit të ligjit dhe procesin e integrimit europian.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është mungesa e një reagimi publik nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Në vend të një deklarate zyrtare, vëmendje mori një vizitë e pazakontë në Kryeministri nga ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle. Takimi me kryeministrin Rama nuk është njoftuar zyrtarisht dhe nuk është komentuar as nga qeveria shqiptare dhe as nga përfaqësia amerikane, duke shtuar një element tjetër interpretimi mbi qëndrimin e Uashingtonit në këtë moment.
Në një panoramë më të gjerë, zhvillimet e kësaj të enjteje mund të interpretohen si një moment delikat në marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe partnerëve perëndimorë, veçanërisht atyre europianë që kanë qenë mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi.
Megjithatë, është ende herët për të folur për një përplasje të mirëfilltë diplomatike. Më shumë se një krizë, kjo duket si një situatë që po kalon në majën e gjilpërës, është një moment tensioni politik dhe institucional që mund të qartësohet në ditët në vijim.
Ajo që mbetet për t’u parë është nëse ky episod do të jetë thjesht një debat i përkohshëm mbi interpretimin e rolit të institucioneve, apo nëse do të shënojë një fazë të re në raportet mes qeverisë Rama dhe përfaqësive diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë. Në çdo rast, zhvillimet e ditëve të ardhshme pritet të japin një përgjigje më të qartë./ TemA