Ambasadori iranian në Londër i tregon “vijën e kuqe” anglezëve, evakuimet vazhdojnë në Liban, ndërpritet furnizimi me karburant në Teheran (ZHVILLIMET E FUNDIT)

Ambasadori i Iranit në Londër, Seyed Ali Mousavi, ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar të tregojë kujdes maksimal në çdo përfshirje të mundshme në sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Në një intervistë të regjistruar paraprakisht, diplomati theksoi se Teherani rezervon “të drejtën për vetëmbrojtje” dhe se qeveritë e huaja duhet të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshme” në veprimet e tyre”. Mousavi përmendi gjithashtu se ishte “pozitive” që Britania ende nuk kishte marrë pjesë drejtpërdrejt në operacione, duke kujtuar mësimet e nxjerra nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.

Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme po shkaktojnë lëvizje të reja në terren. Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për banorët e disa fshatrave në jug të Libanit, përfshirë Arnoun, Yahmar, Zoutar al-Sharqiya dhe Zoutar al-Gharbiya. Zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, u bëri thirrje banorëve të largohen menjëherë për të shmangur pasojat e mundshme nga veprimet e ashpra kundër Hezbollahut.

Situata në Iran po përkeqësohet edhe nga sulmet e fundit ndaj infrastrukturës së karburantit në Teheran. Guvernatori i kryeqytetit, Mohammad Sadegh Motamendian, raportoi ndërprerje në furnizimin me karburant, ndërsa zjarrfikësit përpiqen të kontrollojnë flakët e shkaktuara nga goditjet raketore të atribuara sulmeve amerikano-izraelite.

Motamendian siguroi qytetarët se nuk ka mungesë karburanti, por u bëri thirrje të menaxhojnë përdorimin derisa rrjeti i shpërndarjes të rikuperohet plotësisht.

Media shtetërore iraniane njoftoi se objektet e magazinimit në tre zona të ndryshme u goditën rëndë, duke shkaktuar zjarre të mëdha që ende nuk janë shuar plotësisht. Autoritetet thonë se situata është nën kontroll dhe presin që flakët të shuhen gradualisht brenda ditëve të ardhshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT