A kërkon Shqipëria PROTAGONIZËM? Krasniqi: Jemi shtet simbolik, na kërkohet vetëm të bëjmë detyrat tona

Studiuesi Afrim Krasniqi ka sjellë një analizë të drejtpërdrejtë mbi rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe sfidat e saj të brendshme. Ai tha se askush nuk pret nga Shqipëria të zgjidhë konfliktet globale. Ajo që pritet është funksionimi si një shtet normal, me institucione të pavarura dhe mekanizma që garantojnë stabilitetin minimal deri në ndërhyrjen e NATO-s.

“Ne jemi një shtet i vogël dhe askush në botë nuk pret që Shqipëria të zgjidhë konfliktet globale apo të marrë rolin e parë në aktet zyrtare ndaj shteteve që rrezikojnë vlerat perëndimore. Ajo që pritet prej nesh, sidomos nga aleatët tanë perëndimorë, është të funksionojmë si një shtet normal: të tregojmë seriozitet, të ndërmarrim reforma që garantojnë pavarësi institucionale dhe të sigurojmë që mekanizmat e shtetit të jenë funksionalë. Në gjuhën e NATO-s, kjo do të thotë të jemi të aftë të përballojmë provën e 72 orëve deri sa të vijë ndihma e Aleancës, duke pasur strukturat tona që funksionojnë siç duhet.” – tha Krasniqi.

Ai thekson se Shqipëria nuk është pjesë e fuqive të mëdha dhe nuk është thirrur për të udhëhequr në NATO, BE apo OSBE. Roli i saj është më tepër simbolik, duke përfaqësuar një shtet me shumicë të një besimi fetar që plotëson një kuadër të munguar në aleancën perëndimore.

“Shqipëria nuk është pjesë e fuqive të mëdha. Ne nuk jemi thirrur në NATO, në BE, në OSBE apo në bordin e paqes për të qenë liderë. Roli ynë është më tepër simbolik: të përfaqësojmë një shtet me shumicë të një besimi fetar që plotëson një kuadër të munguar në aleancën perëndimore.

Krasniqi paralajmëron se pas 20 vjetësh, kur të hapen arkivat, do të ngrihen pyetje mbi mënyrën e vendimmarrjes: kush mori vendimet, a pati debat, a u mblodh qeveria apo Këshilli i Sigurisë? Ai thekson se historia nuk matet me retorikë apo “votime të bukura”, por me vendime të dokumentuara dhe institucione funksionale.

“Imagjinoni pas 20 vjetësh, kur të hapim arkivat dhe të kërkojmë dokumentet: çfarë u vendos për këtë çështje, si u mor vendimi, kush e mori përgjegjësinë, a pati mendime pro dhe kundër? A u mblodh qeveria, a u mblodh Këshilli Kombëtar i Sigurisë, çfarë mendoi kryeministri, policia, ministria e jashtme? A ishte e vetëdijshme qeveria për vendimin që do të merrte, kur vetëm një javë më parë ndryshoi ministrin e jashtëm, të mbrojtjes dhe të brendshëm, duke lëvizur gjithë kupolën drejtuese të shtetit? Këto janë pyetje që i bën një shtet serioz. Ndërsa historitë se kush voton më bukur, kush harton më bukur apo kush tregohet më artistik, i kemi provuar si vend dhe nuk na kanë sjellë ndonjë sukses të madh.”– u shpreh Afrim Krasniqi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT