108 ditë para Kryeministrisë, Adriatik Lapaj “dorëzohet” dhe mbyll protestën: Sheshi u lirua

Pas më shumë se tre muajsh rezistencë, Adriatik Lapaj ka vendosur të mbyllë protestën e tij përballë Kryeministrisë, duke liruar sheshin pas 108 ditësh qëndrimi.
Protesta e nisur si reagim ndaj korrupsionit dhe padrejtësisë u shënua nga kushte atmosferike të vështira, ku protestuesit qëndruan mes të ftohtit, shiut dhe breshërit. Pavarësisht sfidave, ata arritën të organizojnë edhe disa protesta kombëtare, të cilat mblodhën mijëra qytetarë.
Paneli në Euronews Albania e kanë cilësuar këtë lëvizje si një formë të rëndësishme reagimi qytetar, që do të mbetet në kronikën e politikës shqiptare.
“Kanë treguar rezistencë dhe duke organizuar edhe disa protesta kombëtare me mijëra qytetarë. Kjo është një gjë për t’u shënuar në kronikën e politikës”, u tha gazetari Lavdrim Lita.
Po ashtu, Salianji theksoi se protesta e Lapajt është për t’u vlerësuar si një shembull i reagimit qytetar ndaj padrejtësisë dhe korrupsionit, duke treguar se shoqëria mund të ndryshojë kur qytetarët qëndrojnë të organizuar dhe këmbëngulës.
“Protesta e Lapajt është për tu vlerësuar, kjo protestë tregon reagimin qytetar nga korrupsionit, nëse secili prej nesh e bën këtë në shoqëri fillon edhe ndryshojnë disa gjera”– tha Ervin Salianji.