VIDEO/ Shpërthen revolta në Rrjoll, banorët përzënë sigurimin privat dhe shkatërrojnë mjetet e kompanisë ndërtuese

Banorët e Rrjollit në Velipojë kanë shpërthyer në revolta e akte kryengritje paraditen e kësaj të shtune, teksa kanë përzënë me forcë punonjësit e sigurimit privat “Breçani” dhe kanë shkatërruar me sende të forta mjetet private të kompanisë ndërtuese.

Siç shihet dhe nga këto pamje të siguruara nga newsbomb.al, marshimi i banorëve drejt vendit ku janë stacionuar makineritë e rënda – të cilat sot kanë qenë të fikura – ka nisur i qetë dhe është agravuar në momentin kur një pjesë e turmës ka sulmuar punonjësit e sigurimit.

Këta të fundit të paktë në numër nuk kanë bërë rezistencë dhe janë tërhequr, derisa banorët i kanë marrë para dhe kanë nisur t’i sulmojnë. Disa janë përgjigjur me shkopa gome, të tjerë janë përleshur me banorët e një pjesë ngrinte duart vazhdimisht duke thënë se donin përplasje.

Disa nga banorët përfaqësues janë shkëputur nga turma dhe janë përpjekur të largojnë punonjësit e sigurimit privat, duke mos lejuar që ata të dhunoheshin më tepër.

Këtë herë në zonë nuk ka pasur ekipe të stacionuara të Policisë së Shtetit, ndaj situata ka degraduar në konflikt të dhunshëm fizik mes dy palëve. Pasi kanë përzënë punonjësit, banorët e Rrjollit kanë shkatërruar mjetet e punës të kompanisë private.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT