Ulsi Manja pyet prokurorët e SPAK: I keni sekuestruar të gjitha provat për Ballukun?! Ja si i përgjigjen ata te Këshilli i Imunitetit

Ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti aktual i PS, Ulsi Manja ka pyetur drejtpërdrejt prokurorët e SPAK në mbledhjen që po mbahet aktualisht në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet, duke kërkuar të dinte nëse janë sekuestruar të gjitha provat për Belinda Ballukun.
“A janë sekuestruar të gjitha provat?”, ka pyetur politikani i lartë socialistë, ndërsa prokurorët janë përgjigjur menjëherë, duke thënë se procesi i mbledhjes së provave nuk ka përfunduar ende.
Ndodhur në këto kushte dhe pas zhvillimeve të tjera menjëherë pas marrjes së Belinda Ballukut si e pandehur, prokurorët e SPAK kërkojnë heqjen e imunitetit të saj dhe më pas arrestimin e dërgimin në qelitë e paraburgimit.
Seanca e posaçme në Këshillin për Imunitetin dhe Mandatet po mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias, çka është kundërshtuar nga opozita. Deputetët e djathtë kërkojnë që diskutimet të shihen e dëgjohen nga të gjithë.
Më herët, Ardian Kalia, avokati mbrojtës i zëvendëskryeministres së pezulluar, është shprehur para deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, se Belinda Balluku nuk ka shkuar më në detyrë që kur është bërë kërkesa për pezullim, madje sipas tij, ka dorëzuar edhe çdo dokument personal.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në disa episode.