U masakrua sot me thikë në Tiranë, kush ishte Egli Pashollari, miku i Jetnis Dollapit dhe pjesë e grupit të “Çunave të Parkut” (FOTOT)

Një tjetër detaj ka dalë në dritë lidhur me 31-vjeçarin Egli Pashollari, i cili u vra tragjikisht pasditen e kësaj të premteje në Tiranë, pas një konflikti të dhunshëm që degradoi në përdorimin e thikave në një lokal në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Përveç rrethanave të ngjarjes së rëndë, ku i riu humbi jetën si pasojë e plagëve të marra, emri i Pashollarit lidhet edhe me një rreth shoqëror të njohur për publikun. Ai rezulton të ketë qenë mik i afërt me Jetnis Dollapi, një emër i njohur vite më parë në Tiranë.
Në profilin e tij në rrjetet sociale, Pashollari publikonte shpesh fotografi krah Dollapit dhe grupit të njohur si “Çunat e Parkut”, pjesë e të cilit thuhet se ishte edhe vetë 31-vjeçari.
Miqësia e tyre daton prej vitesh, ndërsa kujtojmë se Jetnis Dollapi humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e 13 gushtit 2016 pas një aksidenti. Pas asaj ngjarjeje, emri i tij mbeti i njohur në opinionin publik, ndërsa rrethi shoqëror ku ai bënte pjesë vijoi të përmendej herë pas here në media.
Sipas informacioneve të publikuara ndër vite, grupi i njohur si “Çunat e Parkut” kishte marrëdhënie të mira edhe me Emiljano Shullazi. Kjo lidhje u përmend sërish në vitin 2020, kur vetë Pashollari u raportua se kishte tentuar t’i fuste pije alkoolike Shullazit në qeli, në kohën kur ky i fundit ndodhej i paraburgosur.
Më herët, Pashollari kishte shërbyer në strukturat e Policisë së Burgjeve si gardist, ndërsa emri i tij ishte përmendur edhe në çështje të tjera penale.
“Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital”, njoftoi Policia ditën e sotme lidhur me ngjarjen tragjike ku mbeti i vdekur i riu Pashollari.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur këtë ngjarje dhe për të identifikuar autorin/ët të përfshirë në vrasjen e 31-vjeçarit.