U fut vullnetarisht për të gjetur Ilir Kurtin, pas orëve të gjata të tmerrit SHPËTOHET zhytësi 22-vjeçar që u bllokua te “Porta e Djallit” në Osum

Pas një operacioni të përbashkët mes alpinistëve, vullnetarëve, forcave RENEA dhe atyre të Armatosura është bërë i mundur shpëtimi i 22-vjeçarit Xhuljano Kaloti, i cili mbeti i bllokuar në ujërat e lumit Osum gjatë përpjekjeve për të ndihmuar në gjetjen e një 42-vjeçari të zhdukur., Ilir Kurtit.

Sipas një njoftimi të bërë nga ministria e mbrojtjes Xhuljano ndodhet në një gjendje të mirë shëndetësore, dhe vijon të jetë nën kujdesin e ekipit mjekësor.

Kujtojmë se ditën e djeshme në operacionin e kërkimit të Ilir Kurtit, u angazhua një grup sportistësh amatorë të rafting.

Murat Mamurrani, i njohur në zonë si drejtues i një grupi të pacertifikuar sportistësh të rafting, u është bashkuar kërkimeve duke shkelur të gjitha protokollet e sigurisë, dhe me bekimin e drejtuesve të operacionit policor.

Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se mosrespektimi i këtyre standardeve ka bërë që gomonia e drejtuar nga Murat Mamurrani të përmbyset në rrjedhën e fortë të kanioneve, nisur dhe nga rrjedha e rrëmbyeshme për shkak të reshjeve, duke shkaktuar rënien e gjithë grupit në ujë.

Për pasojë, një anëtar i këtij grupi, shtetasi Xhuliano Kaloti është marrë nga rrjedha e fortë e ujit dhe është bllokuar në kanion, në vendin e njohur si “Porta e Djallit”.

Ndërkohë është bërë edhe një reagim zyrtar nga Federata Shqiptare e Rafting, e cila ka shprehur shqetësim të thellë për rastin si edhe ka njoftuar kryerjen me sukses të operacionit.

Postimi i plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA DHE OPINIONIN PUBLIK

Federata Shqiptare e Rafting

Federata Shqiptare e Rafting shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur në Kanionet e Osumit, një ngjarje që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi dhe që evidenton shkelje serioze të standardeve të sigurisë në aktivitetet e rafting-ut.

Sipas të dhënave të disponueshme, z. Murat Mamurrani, së bashku me z. Xhuljano Kaloti, kanë ndërmarrë hyrjen në kanion rreth orës 11:00 të paradites, në kushte me nivel vështirësie 5–6, që konsiderohet nivel ekstrem dhe i papranueshëm për ushtrim aktiviteti në ato rrethana.

Të dyja gomonet me të dyja guidat janë përmbysur, duke treguar mungesë eksperience të duhur dhe mungesë të plotë të një plani emergjence. Si pasojë, z. Xhuljano Kaloti ka mbetur i izoluar brenda në kanion deri në orën 05:30 të mëngjesit, në kushte tepër të vështira.

Federata Shqiptare e Rafting është njoftuar për incidentin rreth orës 18:30, kur tashmë ishte errësirë e plotë. Në respekt të protokolleve strikte të sigurisë, hyrja e guidave gjatë natës në nivele të tilla vështirësie është e ndaluar, pasi konsiderohet fatale dhe mund të sillte pasoja tragjike.

Federata e ndoqi situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe, në koordinim me Presidentin e Federatës së Alpinizmit, z. Artur Guni, u vlerësua se situata duhej të merrej në kontroll nga strukturat e specializuara të kërkim-shpëtimit.

Operacioni u ndërmor nga grupet e “Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë” (Elbasan, Tiranë, Dibër), në bashkëpunim me forcat RENEA, Forcat e Armatosura, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

Operacioni i shpëtimit zgjati rreth 6 orë dhe u zhvillua në një terren jashtëzakonisht të vështirë, me një zbritje vertikale me litar prej afro 120 metrash. Personi i gjetur kishte mbi 17 orë i ekspozuar në ujë dhe në temperatura shumë të ulëta brenda kanionit. Pas nxjerrjes, ai u shoqërua menjëherë në spitalin më të afërt në Çorovodë.

Operacioni u mbyll me sukses në orën 05:30 të mëngjesit.

Federata Shqiptare e Rafting i uron shërim të shpejtë z. Xhuljano Kaloti dhe shpreh mirënjohje të thellë për të gjitha strukturat shtetërore dhe ekipet e specializuara që kontribuuan në këtë ndërhyrje profesionale dhe të koordinuar.

Theksojmë edhe njëherë se rafting-u është një aktivitet që kërkon trajnim profesional, eksperiencë të provuar dhe respektim rigoroz të:

• Dokumentit të Vlerësimit të Rrezikut

• Protokollit të Sigurisë

• Planit të Emergjencës

Respektimi i standardeve nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor dhe moral. Urojmë që situata të tilla, të cilat fatkeqësisht janë përsëritur, të mos ndodhin më kurrë në të ardhmen.

Siguria e jetës njerëzore është mbi çdo interes tjetër.

Federata Shqiptare e Rafting

Back to top button
LAJMET E FUNDIT