Thellohen çarjet e rrugës në Librazhd-Pogradec, ARRSH njofton kufizimin e qarkullimit: Do të vendoset semafor dhe lëvizja është vetëm me një korsi

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, është konstatuar se çarjet e vjetra dhe të reja që ishin shfaqur në këtë zonë janë thelluar akoma më shumë, duke paraqitur një situatë të pasigurt për përdoruesit e rrugës.

Në këto kushte, ARRSH ka ndërmarrë menjëherë masat paraprake emergjente për parandalimin e aksidenteve të mundshme.

Duke filluar që sot, në koordinim dhe me Policinë e Shtetit, do të ketë kufizim të lëvizjes me një korsi në vendin e rrëshqitjes, duke vendosur semafor për disiplinimin e trafikut.

Gjithashtu, për të siguruar qarkullimin e mjeteve me dy sense deri në rehabilitimin përfundimtar të problemit, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se do të merren masa për realizimin e një korsie tjetër provizore në të majtë të trupit të rrugës.

Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve si dhe të banorëve të zonës, për këtë ndërhyrje në rrugë dhe kufizimin e lëvizjes në këtë segment, por që vlerësohet e domosdoshme për sigurinë rrugore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT