“Sulm ndaj stabilitetit të vendit”, Albana Koçiu dënon dhunën e opozitës: Kombi ynë s’mund të mbetet peng i një tufe banditësh të armatosur

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu reagoi ashpër pas ngjarjeve të ndodhura në Tiranë, duke theksuar se objektivi i vërtetë i dhunës është dëmtimi i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe nxirja e imazhit të vendit në një moment kyç për Shqipërinë.
Sipas saj, ajo që u pa në rrugët e kryeqytetit nuk ishte protestë demokratike, por një akt që cenon stabilitetin dhe sigurinë publike.
Ajo dënoi gjithashtu sulmin ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila prej kohësh shërben si një rezidencë artistike.
“U vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë.
Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.
Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë.
Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.
Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.
Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit”, shkruan Koçiu.