Shoferi i jep para, 7-vjeçari ulet t’i marrë në tokë, publikohen PAMJET kur i mituri përplaset nga makina në Tiranë! U shtyp për vdekje nga një tjetër mjet

Janë publikuar pamjet nga momenti kur i mituri 7-vjeçar është përplasur për vdekje nga dy makina ditën e djeshme në zonën e Treshit në Tiranë.
U bë me dije se i mituri, në momentin e ngjarjes, ka qenë duke lypur. Ai i ka dalë përpara makinës së Tomorr Shukullit për t’i kërkuar para.
Pamjet filmike tregojnë se ky i fundit i jep paratë të cilat i bien në tokë të miturit, e ai ulet t’i mbledhë. Sapo ai ulet duke mbledhur monedhat, në atë çast hapet semafori jeshil për makinat. Shukulli, ndonëse në dëshminë e tij ka mohuar përplasjen e të miturit, është regjistruar duke e përplasur me makinë 7-vjeçarin.
Mirëpo, goditja për vdekje e 7-vjeçarit është dhënë nga një automjet i dytë i cili drejtohej nga 42-vjeçarja Valentina Koltraku.
Në momentin e përplasjes së dytë të të miturit janë dëgjuar të bërtiturat e njerëzve, ndërsa Shukulli zbret nga makina e tij dhe merr vogëlushin për ta transportuar të Trauma që të merrte ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë shoferja që përplasi për vdekje 7-vjeçarin është zhdukur nga vendgjarja.
Përplasja e të miturit nga dy makina të ndryshme u zbulua që ditën e djeshme nga pamjet e siguruara nga kamerat e zonës. Por të tjera pamje filmike të kapura nga një tjetër kamerë kanë zbuluar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Mbrëmjen e djeshme reagoi zyrtarisht edhe policia e Tiranës, e cila bëri me se ka arrestuar dy shoferët Shukulli dhe Koltraku.
“Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K. Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit. Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Galeria fotografike (
)