VIDEO/ Shefi i kishte vendosur në emrin e saj apartamente dhe jahtin 1.5 milionë euro, juristja e Ermal Beqirit shkon në SPAK për të dhënë sqarime

Juristja e biznesmenit në arrati, Ermal Beiqirit, është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e abuzimit të tenderave të AKSHI-t.

Xhenila Tamizi është parë teksa hynte në strukturën e posaçme, ku është thirrur për të dhënë deklarime lidhur me hetimet që po zhvillohen për dyshime mbi afera korruptive dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Në vijim të hetimeve për pasurinë dhe dyshimet për fshehje të aseteve, SPAK ka zbuluar se në emër të Xhenila Tamizit, juriste pranë kompanisë “Soft & Solution”, rezultojnë të regjistruara disa pasuri të konsiderueshme.

Mes tyre bie në sy një jaht luksoz i markës “Pretador 50 Sky Fall”, me vlerë të përllogaritur rreth 1.5 milionë euro. Sipas dyshimeve të hetuesve, pas kësaj pasurie qëndron në të vërtetë biznesmeni Ermal Beqiri, ndërsa pronësia është vendosur në emër të vartëses së tij.

Jahti është sekuestruar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Durrësit.

Sipas verifikimeve të kryera, Tamizi, e cila si juriste e kompanisë përfiton një pagë mujore prej 736 mijë lekësh të vjetra, rezulton në dokumente si pronare e disa apartamenteve, si dhe e mjetit luksoz lundrues. Hetimet tregojnë se deri në vitin 2021, në sistemin e regjistrimit të mjeteve nuk rezultonte asnjë mjet lundrues apo mjet tjetër transporti në emër të saj.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet, pasi ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e “arrestit në shtëpi” për ish-drejtoreshën tanimë të AKSHI-t, Mirlinda Karçanajn.

Njoftimi i SPAK për AKSHI-n:

Një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë.

Sipas SPAK, hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa janë edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, (ish-drejtoreshë tani) si dhe zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, për të cilat gjykata ka vendosur masën e “arrestit në shtëpi”.

Në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por ajo nuk është ekzekutuar, pasi të dy nuk ndodhen në Shqipëri.

“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Personat e përfshirë në këtë skemë kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive që merrnin pjesë në procedura tenderimi, duke i detyruar ata të tërhiqnin ankesat administrative. Ky veprim, sipas organit të akuzës, ka favorizuar kompani të paracaktuara, të cilat përfitonin kontratat publike, në raste kur shqyrtimi i ankesave mund të kishte ndryshuar rezultatin e garës.

Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Erion Ismaili, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, është vënë nën masën e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.

Gjithashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në gara tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në vend, pasi administron infrastrukturën kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë shërbimet e platformës e-Albania, e cila shërben si kanal kryesor mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve publike.

Sipas SPAK, hetimi ngre dyshime serioze se struktura e AKSHI-t dhe procedurat e saj të prokurimit janë përdorur nga një grup kriminal për të përfituar fonde publike, duke përdorur metoda që përfshijnë presionin dhe dhunën ndaj rivalëve. Krahas dyshimeve për abuzim financiar, çështja ngre shqetësime edhe mbi rrezikimin e sigurisë kombëtare, për shkak të natyrës së sistemeve dhe të dhënave që administron kjo agjenci.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT