Rama i ndan politikanët në “hunj të vjetër” dhe “filiza të rinj e të shtrembër”, sulmon krerët e partive të vogla: Ballisti Agron dhe komunisti Arlind…

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur sot para deputetëve dhe ministrave socialistë, përveç vlerësimeve për punën e qeverisë së tij, nuk la pa përmendur as kundërshtarët e tij politikë.
Teksa u ndal te reforma në drejtësi, për të cilën theksoi se mazhoranca socialiste vijon ta mbështesë pa lëkundje, Rama ritheksoi se ishte qeveria e tij ajo që i dha drejtësisë “shpatën” dhe pavarësinë për të vepruar.
Mirëpo, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë përdoru dhe metafora dhe ironi për të përshkruar kundërshtarët politikë, duke i ndarë ata mes “hunjve të vjetër e të thyer” dhe “filizave të rinj e të shtrembër”.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe drejtues të partive të vogla, si Agron Shehaj dhe Arlind Qori, të cilëve iu referua me “epitete” si “ballisti Agron” dhe “komunisti Arlind”, dhe të cilët sipas tij janë duke “i mbajnë sytë nga stacioni i trenit duke pritur që SPAK-u t’u hapë rrugën”.
“Shikojini vetë rreth e rrotull që nga hunjtë e vjetër dhe të thyer që ju shkoni e hyni në zyrat e Kuvendi ti takoni përditë korridoreve, te filizat e rinj dhe të shtrembër që i keni nga ana tjetër e bulevardit poshtë dritares tonë, deri tek ballisti Agron dhe komunisti Arlind që i mbajnë sytë të gjithë nga stacioni i trenit duke pritur që SPAK-u ti hapë rrugën njërit për kotecin e pulave qyl dhe tjetrit për kasollen me yll.
Nuk ta relativizoj problematikën e mprehtë, shumë të mprehtë të efekteve anësorë të reformës në drejtësi, por dua të sigurohem që të gjithë ne këto do ta mbajmë shumë fort parasysh beben, përpara se të derdhim ujin e pistë dhe do ta derdhim”, tha Rama, teksa në përmbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se pavarësisht debateve dhe tensionve politike, mazhoranca duhet të ketë parasysh të ruajë arritjet e reformës në drejtësi, duke mos cënuar thelbin e saj.