VIDEO/ Rama “fluturon” direkt drejt jugut pas Korçës! Kush janë investitorët që po shohin çdo pëllëmbë tokë të Vlorës, kryeministri u bën tur në qytetin e tij të “preferuar”

Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të hënë drejt qytetit bregdetar të Vlorës. Njëjtë si dhe vetë kreu i qeverisë e njoftoi përmes një reagimi në rrjetet sociale, pas vizitës në Korçë ai ka “fluturuar” drejt Vlorës.
Në këtë vizitë Rama nuk është i vetëm pasi ndodhet i shoqëruar nga disa investitorë të cilët kanë dashur të shohin qytetin e Korçës, po ashtu dhe atë të Vlorës, si dhe nga ministrja e tij, Mirela Kumbaro.
Në pamjet e mëposhtme, të siguruara nga media lokale, “Blu Tv”, kryeministri shfaqet teksa është ndalur në qendrën multifunksionale pranë Sheshit të Flamurit dhe më pas u ka treguar Vlorën “miqve” të tij investitorë.
Ditën e sotme nëpër media, e jo vetëm, është komentuar gjerësisht mënyra se si kryesocialisti dhe njëherësh kryeministri Rama zgjodhi që të udhëtonte drejt juglindjes së vendit.
Jo në rrugë tokësore, pasi ashtu sikurse dihet prej ditësh tanimë aksi Librazhd-Pogradec është duke u përballur me rënie të nivelit të tokës, duke mos u bërë i aksesueshëm për askënd, Rama vendosi që të shkonte përmes rrugës ajrore.
Pas këtyre lajmeve vetë kryeministri përmes një deklarate zyrtare sqaroi se ky udhëtim ishte parashikuar kohë më parë, para se të bllokohej aksi dhe se në këtë fluturim nuk është i vetëm por me disa investitorë të cilët kanë dashur të shohin si juglindjen po ashtu dhe jugun e Shqipërisë brenda 24 orëve.