Për vite me radhë ka “operuar” mendjen e të rinjve me “bisturinë e logjikës”, profesori Përparim Kabo po kalon momente të vështira, i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

Profesori dhe një ndër personalitetet e spikatura të jetës akademike shqiptare, Përparim Kabo, është duke kaluar një moment të vështirë shëndetësor.

Mësohet se profesori aktualisht ndodhet në spital, pasi ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Lajmi është bërë me dije nga vetë miku i tij, Rifat Kullolli, i cili ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale këtë moment delikat, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë.

Për dekada me radhë, profesor Kabo ka “operuar” mendjet e të rinjve me bisturinë e logjikës, etikës dhe arsyes kritike, shkruan mes rreshtave miku i tij.

Me një përvojë 42-vjeçare në fushën e arsimit si lektor, kërkues shkencor dhe autor librash, Përparim Kabo përfaqëson një nga figurat më të respektuara të botës akademike dhe debatit publik në Shqipëri.

Kontributi i tij në formimin e brezave të rinj dhe në pasurimin e mendimit kritik ka lënë gjurmë të forta në jetën kulturore e intelektuale të vendit.

“Rastësisht marr lajmin se profesor Perparim Kabo gjendet në spital pasi ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale… Në momente të tilla, kuptojmë se sa e rëndësishme është prania e njerëzve që i japin dritë shoqërisë sonë. Profesor Kabo ka kaluar një jetë duke “operuar” mendjet e të rinjve me bisturinë e logjikës dhe etikës, ndaj sot e gjithë vëmendja shkon tek shëndeti i tij.

​ Besojmë se ajo forcë e brendshme dhe ai vitalitet që e karakterizon në çdo debat e ligjëratë, do ta ndihmojë ta kalojë këtë sfidë me sukses. Lutjet dhe mendimet pozitive të nxënësve, kolegëve dhe admiruesve të shumtë janë me të në këto çaste. Mezi presim ta rishohim në katedra dhe ekrane, me atë qartësinë e tij të zakonshme që na nxit të gjithëve të mendojmë më thellë.

​”Shëndeti është pasuria e parë, por forca e karakterit është ajo që e mbron atë.” I urojmë Profesorit një rikuperim sa më të shpejtë. Shqipëria ka nevojë për zëra si ai”, shkruan Kullolli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT