Pas zjarrit të tetorit, një tjetër goditje për “Farma Sotira”, anulohen të gjitha rezervimet nga bllokimi i rrugëve: Na është bërë dëm i madh

Farma Sotira po kalon sërish një periudhë të vështirë. Vetëm pak muaj pasi u përball me një nga sfidat më të mëdha, shkatërrimin nga zjarri, biznesi duket se është “goditur” përsëri, këtë herë si pasojë e përkeqësimit të segmenteve rrugore në zonë.
Reshjet e dendura të shiut dhe erozioni kanë shkaktuar shkarje dheu në disa akse kryesore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin drejt juglindjes. Aksi Librazhd-Pogradec, por edhe ai i Ersekës, kanë pësuar dëmtime, duke krijuar pasiguri për udhëtarët dhe duke sjellë anulime të shumta rezervimesh për bizneset turistike të zonës.
Sipas Jonida Hënës, bashkëthemelueses së “Farma Sotira”, të gjitha rezervimet për fundjavën janë anuluar dhe deri më tani nuk ka asnjë shenjë për prenotime të reja. Ajo shprehet se situata paraqitet e vështirë, sidomos në një periudhë dimri që tradicionalisht është sfiduese për bizneset që operojnë në atë zonë.
“Po rezervimet për këtë fundjavë janë anuluar të gjitha dhe nuk ka ndonjë shenjë për rezervim të ri. Nuk e di si do shkojë, por e vështirë. Të gjitha rezervimet janë anuluar. Dëmi më i madh është bërë në biznes, situata e dimrit është e vështirë për të gjitha bizneset që operojnë si puna jonë dhe ne presim fundjavën për të pasur punë për të mbijetuar”, ka thënë ajo, teksa më tej ka theksuar se situata është rënduar edhe më tej nga rritja e çmimeve të produkteve që ferma blen për aktivitetin e saj.
Vështirësitë në transport, si pasojë e devijimeve dhe zgjatjes së rrugëve, kanë sjellë kosto shtesë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit dhe në shpenzimet e përditshme të biznesit.
“Diçka tjetër që kam vënë re është rritur çmimi i produkteve që blejmë, pasi transporti është vështirësuar, i bien më gjatë”, ka thënë ajo.
@media60ok“Janë anuluar të gjitha rezervimet”, alarmi i sipërmarrëses: Po falimentojmë
Farma Sotira, e ngritur me kursimet e një jete, prej vitesh i ka shërbyer me dashuri dhe përkushtim çdo vizitori që ka zgjedhur qetësinë dhe bukurinë e natyrës. Pamëshira e flakëve nuk kurseu as shtëpitë e pushimit dhe as banesën e familjes së Jonidës dhe Tonit, duke e lënë gjithçka në hi.
Në tetor të vitit të kaluar, pas zjarrit shkatërrues, familja kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të ringritur biznesin nga e para. Me përkushtim dhe mbështetje, ata nisën sërish punën për ta kthyer fermën në destinacionin e dashur për pushuesit.
Por ky dimër duket se ka sjellë një tjetër provë të fortë për ta. Akset e dëmtuara dhe pasiguria në qarkullim kanë ndikuar drejtpërdrejt në numrin e vizitorëve, duke e vënë sërish në pikëpyetje ecurinë e biznesit.