“Nuk e shpëtojnë Shqipërinë hetuesit”, Manjani kritika të forta: Drejtësinë e bëjnë gjykatat, jo prokurorët

Juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka komentuar gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vendin tonë.
Manjani ka deklaruar se pas Reformës në Drejtësi në vendin tonë, u krijua perceptimi se “prokurorët do ta shpëtojnë Shqipërinë”.
Ish-ministri ka deklaruar se ky perceptim është i gabuar, pasi theksoi se janë gjykatat ato që japin drejtësi dhe jo prokurorët.
“Në Shqipëri pas reformës në drejtësi u krijua kultura që prokuroret po na nxjerrin në selamet. Prokurorët janë ata që do e shpëtojnë Shqipërinë, po ja ku jemi që jo vetëm që prokurorët nuk e shpëtojnë Shqipërinë, sepse nuk ka shtet në botë që e shpëtojnë prokurorët. Drejtësinë e bëjnë gjykatat, jo prokurorët. Nëse gjykatësi ia bën fakt në publik dënimin, nëse gjykatësit i kemi lënë që prokurori të kontrollojë gjykatësin, a mund të thotë dikush që ka gjykatës të pavarur në këtë vend. Kjo është bolshevike e pastër. Nuk ka lidhje me komunizmin. Edhe gjykata ruse pranon 90 përqind të pretencave të prokurorëve“, u shpreh ai.