Nëna me fëmijë të sëmurë do hidhej kulla për rrogën 380 mijë lekë, “Viola Green” me pronar Bujar Shegën, “truri financiar” i bandës së Suel Çelës! Ka fituar miliarda lekë tendera nga bashkitë

Elona Bregu, nëna 40 vjeçare e një vajze të sëmurë, ka kërcënuar këtë të enjte se do të hidhej nga kulla e oksigjenit të ish-Uzinës në Kuçovë sepse kompania e pastrimit ku ajo punonte, “Viola Green”, nuk i kishte dhënë dy pagat e fundit.

Bëhet fjalë për pagë mujore 380 mijë lekë të vjetra, të cilën kur Elona dhe koleget e saj kishin shkuar në bashki të kërkonin informacion se përse prej dy muaj e gjysmë nuk po e merrnin, janë njoftuar se madje ishin pushuar sepse po ankoheshin.

“Kam një vajzë të sëmurë, kam dy muaj e gjysmë pa rrogë. Pse duhet të më heqin nga puna vetëm pse kërkova pagën?”, u shpreh ajo pas negociatave që shmangën një tragjedi.

Newsbomb.al raporton se Elona Bregu ka qenë punonjëse e kompanisë së pastrimit “Viola Green”, ndër më kryesoret që kanë fituar më shumë tendera nga bashkitë e Shqipërisë, me pronar Marsel alias Bujar Shega.

Ky shtetas u arrestua më shumë se një vit e gjysmë më parë në Milano, kur u godit banda e Suel Çelës.

SPAK e akuzon zyrtarisht Bujar Shegën për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në kuadër të organizatës. Në zbatim të këtyre akuzave, Gjykata e Posaçme e ka lënë atë në “Arrest me burg”, pas ekstradimit nga Italia.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, tashmë ish-administratori dhe një nga aksionerët kryesor të kompanisë së pastrimit “Viola Green”, Bujar Shega ishte “truri financiar” dhe pastronte paratë e një prej grupeve më të fuqishme kriminale që vepron në Elbasan dhe jo vetëm, atij të Suel Çelës.

Nëna me fëmijë të sëmurë do hidhej kulla për

Vendimi i Asamblese per emerimin e Administratorit te ri te Viola Green

Më datë 13 Dhjetor 2024, rreth dy javë pasi autoritetet italiane njoftuan SPAK se kishin prangosur në Milano shtetasin shqiptar Marsel alias Bujar Shega për llogari të hetimeve për grupin kriminal të Elbasanit, administrator i kompanisë “Viola Green” është zgjedhur shtetasi Sherif Kapllani.

Njëkohësisht, ai është dhe aksioner në këtë kompani, me 33% të kapitalit.

Viola Green ka marrë dhjetëra milionë euro tendera publikë, në 5 bashki të vendit, Elbasan, Prrenjas, Kuçovë, Cërrik dhe Peqin. Sipas të dhënave nga Open Corporates dhe të para nga newsbomb.al, rezulton se kompania e drejtuar nga Bujar Shega ka fituar 10 tendera në 5 bashkitë e mësipërme, nga 2 për secilën bashki, me vlerë mbi 7.5 miliardë lekë të vjetra.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT