Në katër vjetorin e nisjes së luftës, Zelensky “ultimatum” BE-së dhe këshillon Donald Trumpin: Dua një datë për anëtarësimin! President, Putin po luan me ty

Në përvjetorin e katërt të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha Financial Times se lufta është “në fillim të fundit “, por u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të mos bien pre e “lojërave të negociatave” të Putinit.

Sipas tij, pa garanci të qarta dhe detyruese sigurie nga Perëndimi, Moska mund të shfrytëzojë çdo armëpushim për t’u rigrupuar dhe për të nisur një ofensivë të re.

“Ne duam një armëpushim të përhershëm. Ukrainës i duhet një armëpushim, dje, sot, nesër. Nuk kemi nevojë për një pauzë. Na duhet një fund i luftës”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje pa garanci konkrete mbart “rreziqe të mëdha. Lufta mund të fillojë përsëri. Një armëpushim mund të dështojë”.

Zelensky akuzoi udhëheqjen ruse se nuk është serioze në bisedimet për paqe. “Rusët po luajnë lojëra”, tha ai, duke shtuar se Putini po përpiqet, përmes propozimeve ndaj Donald Trump, të dobësojë pozicionin negociues të Kievit. “Ata po luajnë me Trumpin dhe me të gjithë botën. Putini mendon se duket bindës dhe i besueshëm. Jo, ai është një aktor i keq”.

Ai zbuloi se zyrtarë rusë i kanë propozuar SHBA-së një paketë bashkëpunimi ekonomik deri në 12 trilionë dollarë, e cila sipas inteligjencës ukrainase përfshin dispozita “lidhur me Ukrainën” dhe shfrytëzimin e burimeve natyore në territoret e pushtuara. Nga ana tjetër, hodhi poshtë pretendimet se Kievi do të përdorte një armëpushim për t’u riorganizuar: “Kjo është demagogji dhe gënjeshtra”.

Presidenti ukrainas tha se në disa zona të frontit, sidomos në juglindje, forcat ukrainase kanë bërë përparim, pjesërisht falë ndalimit të përdorimit të paautorizuar të sistemit Starlink nga trupat ruse. Ai konfirmoi gjithashtu se raketat kruiz FP-5 Flamingo, të prodhuara në Ukrainë, kanë goditur me sukses një strukturë të madhe prodhimi raketash brenda Rusisë. Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të financojnë dhe licencojnë prodhimin e armëve në Ukrainë, duke theksuar se vendi është pranë prodhimit masiv të raketave të reja që kanë depërtuar në sistemet ruse kundërajrore.

Në planin politik, ai i kërkoi Bashkimit Evropian një datë konkrete për anëtarësimin e Ukrainës, duke përmendur vitin 2027 si objektiv të realizueshëm.

 “Dua një datë. E kërkoj. Le të mos lejojmë që udhëheqësit e ardhshëm ose brezi i ardhshëm të gjenden në një situatë ku Rusia do të bllokojë pranimin e Ukrainës për 50 vjet”.

Zelensky vuri në dukje se presioni i ushtruar nga Donald Trump ndaj Kievit për lëshime është më i madh se ai ndaj Moskës, por shprehu shpresën se SHBA do ta shtojë trysninë mbi Rusinë.

“Ajo që po u kushton shtrenjtë rusëve është të ndalojnë flotën e tyre në hije, kompanitë e tyre, aftësinë e tyre për të tregtuar dhe eksportuar burime energjie, të ndalojnë anashkalimin e sanksioneve. Shpresoj që Presidenti Trump dhe SHBA-të do ta bëjnë presion mbi Rusinë dhe do ta ndalojnë Putinin”, përfundoi ai, duke theksuar se mbështetet “kryesisht te qytetarët ukrainas, ushtria jonë dhe prodhimi ynë”.

Ditën e sotme, në këtë katërvjetor të nisjes së luftës në Ukrainë, në Kiev ka mëbrritur edhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se BE-ja “nuk do të tërhiqet derisa të rivendoset paqja”.

Pushtimi rus, konflikti më i përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka lënë qindra mijëra të vrarë e të plagosur dhe ka shkaktuar shkatërrime masive në Ukrainë. Sipas një raporti të përbashkët të Kievit, Bankës Botërore, BE-së dhe OKB-së, rindërtimi i vendit do të kushtojë rreth 588 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme. Ndërkohë, negociatat e nisura në vitin 2025 nën ndërmjetësimin e SHBA-së nuk kanë arritur ende t’i japin fund luftimeve.

Një ditë më parë, gjatë ceremonisë së “Mbrojtësit të Atdheut”, Vladimir Putin deklaroi se ushtarët rusë në Ukrainë po mbrojnë “kufijtë” e Rusisë dhe po luftojnë për “të ardhmen” e vendit. Ndërsa Zelensky, në një intervistë për BBC, e akuzoi atë se ka nisur “një luftë të tretë botërore” në Ukrainë dhe se synon të “imponojë botën e tij”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT