LIVE! Pa podium e pa fjalime, nis marshimi i opozitës nëpër Tiranë; 1500 policë në terren

Ditën e sotme opozita ka thirrur protestën e pestë kombëtare. Ndryshe nga protestat e mëparshme, sot nuk ka podium dhe as fjalime. Protesta do të zhvillohet në formë marshimi.

Protestuesit jane mbledhur fillimisht në sheshin para Kryeministrisë dhe më pas do të marshojnë drejt institucioneve kryesore të vendit.

Organizatorët kanë konfirmuar se nuk do të ketë ndalesa pranë Kuvendit dhe as hedhje të mjeteve piroteknike, për të shmangur çdo incident në zonën e Namazgjasë, ku besimtarët janë të pranishëm për shkak të Ramazanit.

Megjithatë, policia ka marrë masa të rrepta sigurie. Mbi 1500 efektivë janë angazhuar në terren, ndërsa Kryeministria është blinduar dhe rrethuar me barriera metalike.

Forcat “Shqiponja” janë pajisur edhe me fikëse zjarri, si masë paraprake duke pasur si referencë protestat e mëparshme.

Sipas gazetares Omeri, efektivë policie janë vendosur jo vetëm pranë Kryeministrisë, por edhe në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Në gatishmëri janë vendosur automjete policore, autoambulanca dhe makina të hedhjes së ujit.

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit, por ka marrë të gjitha masat për rendin publik, mbrojtjen e institucioneve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT