“Kokë më kokë” me Gerond Meçen, Ermal Beqiri fiton tenderin 3 miliard lekësh të KLGJ-së, SPAK vijon kërkimet për lokalizimin e tij

Edhe pse prej kohësh është në kërkim nga SPAK, biznesmeni Ermal Beqiri ka arritur të fitojë tenderin afro 3 milard lekësh të KLGJ-së, për ndërtimin e një sistemi kompjuterik të quajtur “Sistem Enterprise Service Bus” (ESB).
Burime për gazetarin Qyno bëjnë me dije se treshja e gjyqtarëve Administrativë të Apelit: Sokol Ibi, Gentian Hamiti dhe Eriol Roshi, në Janarin e 2026, i ka dhënë të drejtë Ermal Beqiri për të fituar tenderin, duke rrëzuar kërkesën e ABS-së së Gerond Meçes dhe “Datalog” të Sokol Sinanit, që kërkuan në gjykatë vendosjen e sigurimit të padisë dhe urdhërimin e pezullimit të efekteve Juridike të tenderit të KLGJ-së.
Tenderi 3 milard lekësh u shpall në muajin Shtator 2025, për të cilin hynë në garë dy Bashkime Operatorësh Ekonomikë (BOE).
Qëllimi i tenderit ishte ndërtimi i një sistemi kompjuterik i quajtur “Sistem Enterprise Service Bus” (ESB). Një sistem ndërlidhës Shërbimesh Ndërmarrjeje i centralizuar i softuerit që përdoret për të integruar aplikacione, shërbime dhe sisteme të ndara brenda një organizate.
ESB vepron si një shtyllë kurrizore komunikimi, përmes së cilit trajtohet rrugëzimi i mesazheve, transformimin e të dhënave, konvertimin e protokolleve dhe orkestrimin e shërbimeve për të mundësuar ndërveprim të pandërprerë dhe në kohë reale midis sistemeve heterogjene, të vendosura në ambientet e tyre.
Për realizimin e këtij sistemi, KLGJ akordoi një shifër prej mbi 3 miliard lekë. Në garë për të fituar tenderin hynë 2 kompanitë: e para ishte Bashkimi i Kompanive “Datalog” e Sokol Sinanit, e cila së bashku me “Advanced Bussines Solution ABS” të Gerond Meçes, të cilët ofruan një shumë financiare prej 2 miliard e 563 milion lekë.
Nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, oferta e Sinanit dhe Meçes rezultoi humbëse. Për rrjedhojë, fituese për ofertën ekonomike prej 2 miliard e 532 milion lekë të vjetra u shpall bashkimi i operatorëve “Soft-Solution” dhe “Horizon”, dy kompani që zotërohen nga biznesmeni i shpallur në kërkim nga SPAK, Ermal Beqiri.
Kujtojmë se, Ermal Beqiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për goditjen e një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), i dyshuar për disa vepra të rënda penale.
Në një nga episodet kriminale që ka mundur të zbardhë SPAK, del se biznesmenët Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi urdhërojnë pengmarrjen e biznesmenit tjetër Gerond Meçe, duke e detyruar që të tërhiqej nga tenderat dhe procedurat kryesore të prokurimit gjatë të paktën tre viteve të fundit, i fitonim vetëm ata.