Karroca plot me DOKUMENTE para SPAK, a tentoi avokati të zhdukte PROVAT e mbledhura ndaj Safet Bajrit? Tahiraj thyen heshtjen: Nuk kanë lidhje me klientin tim

Para pak ditësh, mbrojtja e të dënuarit për veprimtari kriminale Safet Bajrit, Sokol Tahiraj u shfaq përpara SPAK me një karrocë përmes së cilës mori disa kutia të mbushura me dokumente.
Momenti i tij u komentua në rrjet si një përpjekje për të zhdukur provat e mundshme që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj Safet Bajrit.
Në një prononcim për Euronews Albania, Tahairaj ka hedhur poshtë aludimet duke nënvziuar se nuk ka lidhje me klientin e tij, Safet Bajrin.
Reagimi i Sokol Tahiraj: Janë një sërë materialesh të marra nga Prokuroria e Posaçme, janë materiale ndër vite, procedime të vjetra, procedime të hapura të pushuara, vendime fillimi, vendime mosfillimi, ndarje procedimesh, bashkim procedimesh, por nisur nga forma dhe përmbajtja, nuk japin rezultat për hetimin. Ndaj do t’i drejtohem gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e tyre. Nuk ka prova që lidhen me klientin tim.
Konfliktet Bajri-Lici që përgjakën vendin:
Konfliktet e hershme mes dy fiseve Bajri e Lici për kontrollin e Shkodrës, kulmuan në vitin 2018 me nisjen e një serie vrasjesh në të dy krahët, që vijon edhe pas shtatë vitesh. SPAK ka mundur të zbardhë ekzekutimin e Fatbardh Licit në mes të Shkodrës dhe ka dërguar në gjyq 4 të pandehur.
Gjithçka ka nisur pas vrasjes së ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëshortes së tij Silvi Ndoci në korrik 2018, teksa ata po parkonin makinën poshtë shtëpisë dhe me vete kishin dhe djalin 2 vjeçar.
Ngjarja e rëndë tronditi kryeqendrën e veriut, pasi siç u raportua në atë kohë, ish-polici e kishte njohur personin që e vrau dhe pak sekonda para atentatit ishin përshëndetur. Gjithashtu, edhe Silvi Ndoci e ka njohur autorin, ndaj dhe ajo është vrarë bashkë me burrin.
Prokuroria e Posaçme thotë se Boran Bërçana dhe bashkëshortja e tij ishin miq të fisit Bajri dhe menjëherë pas vrasjes, kreu i grupit Bajri, Behari ia ka atribuuar autorësinë Ibrahim Licit. Ai njihet dhe me nofkën “Fantazma” dhe është nipi i Fatbardh Licit.
Në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, në shenjë hakmarrje, i pandehuri Behar Brajoviq në bashkëpunim të veçantë me të pandehurit Safet Rustemi (Bajri) dhe Astmer Bilali, kanë organizuar dhe vrarë më datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici.
Ai ishte xhaxhai i Ibrahim Licit dhe vrasja u krye një muaj pas ekzekutimit të dyfishtë të Boran Bërçanës dhe Silvi Ndocit. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet ka rezultuar se ekzekutori i drejtpërdrejtë ka qenë i pandehuri Astmer Bilali.
Menjëherë pas krimit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX.