Inspektorët zbarkojnë në argjendaritë e qytetit, bllokohet 45 kg ar pa faturë origjine

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në Kosovë, ka njoftuar se në Pejë janë sekuestruar mbi 45 kg ar, dhe se ky inspektorat si dhe institucionet e sigurisë kanë zbuluar shkelje të rënda në tregun e metaleve të çmuara.
Aksioni është bërë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës.
Qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrolleve të detajuara në terren, inspektorët kanë evidentuar shkelje të rënda.
IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, ndaj ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore.
Gjithashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre.