“Imazhi u përdor pa miratim!”, kërkoi 1 milion euro dëmshpërblim dhe pezullimin e ministres Diella, Administrativja rrëzon aktoren Bisha

Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën për sigurimin e padisë së ngritur nga aktorja Anila Bisha ndaj ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Burimet bëjnë me dije se çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili mori vendimin për rrëzimin e kërkesës së ngritur nga aktorja Bisha.
Përmes kërkesës së saj, aktorja kërkonte një dëmshpërblim prej 1 milionë euro për prishje imazhi dhe pezullimin e ministres Diella.
Aktorja e Teatrit Kombëtar, pretendon se imazhi dhe zëri i saj janë përshtatur pa miratim, për avatarin qeveritar ‘Diellën’.
Në lidhje me këtë hap ajo bëri kërkesën në Gjykatën Administrative, ku kërkoi që të dhënat e saj personale të mos përdoren më.
Nga ana e saj, Anila Bisha është shprehur se ajo ka patur një kontratë përmes së cilës thuhej se imazhi i saj do të përdorej vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania, dhe se shfaqja e Diellës si ministër, është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të kontratës.
Në dokumentin që aktorja dorëzoi në gjykatë, vihet në dukje se krijimi i avatarit të Ministres Diella është realizuar pa marrë asnjë miratim paraprak të aktores Bisha për përdorimin e të dhënave, madje dhe pa e vënë atë në dijeni.
Aktorja Anila Bisha përfaqëson zyrtarisht zërin dhe imazhin e Diellës, sipas një kontrate bashkëpunimi 1-vjeçare të dakordësuar një vit më parë.
Diella lindi më 19 janar 2025 për të lehtësuar me zë, figurë dhe shpejtësi shërbimet online për qytetarët e çdo grupmoshe dhe shërbeu nga janari si Asistente Virtuale e platformës kombëtare e-Albania, deri kur Edi Rama vendosi ta bënte ministre.
Mirëpo, përhapja kaq e gjerë e Diellës në shërbime dhe posti qeveritar, kanë bërë që aktorja Anila Bisha të kërkojë pezullimin e saj, sepse marrëveshja ka përfunduar më 31 Dhjetor 2025 dhe tani, ministrja është e paligjshme.