Humbi në tragjedinë e Tempit birin e tij, shqiptari Pano Ruçi akuzon qeverinë greke: Ka njerëz të fuqishëm mbrapa, po përpiqen ta mbulojnë! Ja çfarë po transportohej me tren

Pano Ruçi, babai me zemrën e lënduar i cili prej kohësh tanimë po kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij në Greqi, ka dhënë detaje të tjera lidhur me tragjedinë e Tempit tre vite më parë në të cilën humbi dritën e tij të syve, të birin.
Për Euronews Albania, ai ka treguar se tragjedia me 57 viktima erdhi si pasojë e mos funksionimit të sistemit të trenave.
Ndonëse qeveria greke deri më tani po fajëson shoferin e trenit, Ruçi ka bërë me dije se ai së bashku me familjarët e viktimave të tjerë kërkojnë një tjetër hetim, lidhur me shkaqet që çuan në shkaktimin e zjarrit.
Ai pretendon se në tren kishte benzinë dhe lëndë të ndezshme të cilat po transportoheshin kontrabandë.
“Sistemet e trenave si frenimi, radiomarëse nuk punonte asnjë gjë. Asnjë gjë nuk punonte dhe këto janë dëshmuar edhe në ekspertizë. Qeveria greke thotë që është faji i një njeriu. Okay, është faj i një njeriut që nuk e ktheu çelësin. Po zjarri, ne atë kërkojmë.
Zjarri nga se u bë, gjithë ai zjarri. Duhet të kishte diçka brenda. Janë ato që esencat që i vejnë nëpër benzinë, kështu gjërash. Nuk e di si i thonë shqip”, tha ai, duke shtuar më tej se qeveria greke është duke i mbrojtur këta persona pasi sipas Pano Ruçit janë persona me ndikim dhe emër në Greqi.
“Ishte kontrabandë prandaj nuk duan se janë emra të mëdhenj ato që i kishte brenda. Domethënë ato gjëra që kishte brenda janë njerëz me influencë”, theksoi ai.
Kujtojmë se Pano Ruçi më herët nisi edhe një grevë urie ku dhe kërkoi që trupi i djalit të tij të zhvarrosej me qëllim që t’i kryheshin të gjitha testet e identifikimit dhe analizave toksikologjike.
Tragjedia e Tempit:
Një tren pasagjerësh plot studentë u përplas me një tren mallrash më 28 shkurt 2023, pranë grykës së Tempit në Greqinë qendrore.
Ngjarja ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi. Aksidenti shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Në mesin e të rinjve që humbën jetën në atë ditë të zezë jo vetëm për Greqinë, por dhe vendin tonë, ishin dhe 6 shqiptarë.
Klaudia Lato, Ifigjenia Micka, Erieta Molko, Ioanis Xhiollas, Denis Ruçi dhe Pavlin Bozo janë shqiptarët që humbën jetën nga kjo tragjedi e jashtëzakonshme.
Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.