Gazment Bardhi paralajmëron Edi Ramën: Po ndryshon ligjin që të jesh i mbrojtur nga SPAK, por nuk u hedh dot hi syve europianëve dhe Amerikës! “Të besoj” për qëllimin që ke

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka bërë një reagim për atë që ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama, se mazhoranca socialiste do të ndërmarrë nismën për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që t’u garantojë imunitet anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Sipas Bardhit, Edi Rama sot ndryshon ligjin për t’i vendosur Kryeministrit një mburojë plus nga SPAK, duke propozuar që të mos pezullohet nga detyra, nëse drejtësia gjykon se ai, për shembull, po prish provat e një hetimi.

“E besoj Edi Ramën, kur thotë se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Sepse qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë të mbrojë Belindën, por veten e tij. Refuzimi i dorëheqjes nuk është më çështje luajaliteti. Është çështje precedenti. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në mes të një hetimi penal aktiv për Zëvendëskryeministren nuk bëhet vetëm për sot.

Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë. Prandaj, e besoj Edi Ramën, sepse ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u.

E besoj, sepse qëllimi i tij është personal. Ai do që funksioni i Kryeministrit të mos ndahet nga emri i Edi Ramës, pavarësisht provave të drejtësisë kundër tij. (Dhe çështja McGonigal është ende në hetim. Çështja e qendrimit të qeverisë për incineratorët është ende në hetim)”, shkruan ai.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD thotë se këtë herë, edhe ai “e beson” Edi Ramën, sepse ai po mendon si të mbrojë veten në të ardhmen.

“E besoj Edi Ramën, kur thotë se fillimisht do të votohet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas do të ndryshohet Kodi. E besoj, sepse ai sërish po mendon për veten. Po mendon se procedura do ta shpëtojë nga vijat e kuqe. Por vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë. As me hi syve shqiptarëve, BE-së dhe SHBA-së”, përmbyll Gazment Bardhi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT