Edi Rama zbulon prapaskenat: Belinda Balluku më erdhi në zyrë për dorëheqjen, mandej me shkresë pas Gjykatës Kushtetuese

Kryeministri Edi Rama ka folur sot para deputetëve dhe ministrave të tij, në një kohë kur socialistët po përgatisin raportin për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku për t’ia dorëzuar Kuvendit.
Rama ka theksuar se Balluku, e cila ditën e sotme nuk ka qenë e pranishme në mbledhje, i ka dorëzuar dorëheqjen tre herë që nga ngritja e akuzave për pabarazi në tendera, jo për korrupsion ashtu sikurse thuhet nëpër media.
“Por, dua të ndaj me ju këtu diçka e kam thënë dhe pa praninë e publikut përmes mediave, Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë qysh kur ju ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion, se ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara a për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, nuk ka akuzë për korrupsion, por pabarazi në tendera, pastaj ma ka sjellë sërish me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Kushtetueses”, tha Rama, teksa ka bërë me dije se e ka refuzuar kategorikisht çdo dorëheqje, duke theksuar se në këtë fazë të zhvillimit të drejtësisë në vend nuk mund të ndjekin një “valle dorëheqjesh automatike” sa herë ngrihet një akuzë.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Por, dua të ndaj me ju këtu diçka e kam thënë dhe pa praninë e publikut përmes mediave, Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë qysh kur ju ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion, se ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara a për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, nuk ka akuzë për korrupsion, por pabarazi në tendera, pastaj ma ka sjellë sërish me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Kushtetueses.
E kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes dhe pse vlen kjo të përsëritet dhe pse dua ta ndaj dhe publikisht sepse unë kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit ku ndryshe nga vendet me drejtësi dhe institucione të konsoliduara drejtësia sapo ka nisur të shijojë pavarësinë ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë, por secili të bëjë punën e vet, ne tonën dhe drejtësia të vetën.
E di unë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, edhe pse nuk praktikohet edhe në Europë njëlloj, por sot në Shqipëri ku përmes SPAK drejtësia ka filluar të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por dhe një dëm për administratën duke e përmbysur faktikisht rregullisht parimin e prezumimit të pafajësisë mekanizimi i qeverisjes së vendit nuk mund të kurdiset dhe çkurdiset sa herë që drejtësia ngre një akuzë.