E FUNDIT/ Opozita shqiptare në “kilometrin e fundit” të fitores, Berisha niset me vonesë drejt Bulevardit për të “përsëritur” historinë (VIDEO)

Sali Berisha ka lënë selinë e Partisë Demokratike rreth gjysmë orë më vonë nga ora e parashikuar për nisjen e kësaj proteste. Ai është nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar mijëra protestuesve që kanë mbërritur sot në Tiranë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Ish-kryeministri është pritur mes thirrjeve “O Sali, o hero”, me flamujt blu, por nuk ka munguar as ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e zhvilluar nga opozita dhe ashtu sikurse lideri i të djathtëve e ka deklaruar me disa herë ata janë në “kilometrin e fundit” për të rrëzuar qeverinë Rama.
Lidhur me këtë protestë Policia e Shtetit nuk u ka dhënë lejë demokratëve, por megjithatë kanë ndërmarrë masa me qëllim mbarëvajtjten e saj. Porta hyrëse e Kryeministrisë është blinduar me struktura metalike, po ashtu dhe ajo e Parlamentit. Rreth 1600 efektivë policie janë angazhuar për ruajtjen e perimetrit të godinës.
Në sheshin para Kryeministrisë, janë vendosur dhe 2 makina autobote me ujë. Ndërkohë që protestuesit ashtu sikurse dhe herët e kaluara janë treguar “kreativë”. Kësaj radhe kanë ardhur edhe me një pankartë me mesazhin pikant: “Edhe nëse bota hesht, Atdheu nuk ta fal”.
Kujtojmë se në protestat e kaluara ka pasur hedhje të molotovëve nga protestuesit, efektivë të plagosur dhe protestues të arrestuar. Nuk dihet ende se më çfarë skenari do të shkojnë të djathtët në protestën e 20 shkurtit, protestë e cila përkon me rënien e bustit të Enver Hoxhës në vitin 1991.