DEL VIDEO pas vrasjes! Momenti kur Gazment Buçpapaj largohet me vrap, kthen kokën pas nga frika, dëshmia TRODNITËSE e gruas së vrasësit të Egli Pashollarit

Newsbomb ka siguruar pamjet nga momenti ku vrasësi i Egli Pashollarit, Gazment Buçpapaj, është larguar pak pasi qëlloi me thikë të riun.
Në videon e mëposhtme shihet qartë 40-vjeçari teksa largohet me nxitim nga vendi i ngjarjes, vetëm pak çaste pas përplasjes fatale që i mori jetën të riut Egli Pashollari. Krah tij është edhe bashkëshortja, Laureta Buçpapaj, ndërsa të dy vrapojnë nëpër rrugicat që të nxjerrin te Rruga e Kavajës.
Pamjet tregojnë momentin kur Buçpapaj, gjatë largimit e kthen kokën pas, për të kontrolluar nëse dikush po e ndjek.
Ndërkohë, është zbardhur edhe dëshmia e plotë e bashkëshortes së tij, e cila ka rrëfyer para hetuesve dinamikën e ngjarjes së 20 shkurtit.
Ajo deklaron se në zonën e rrugëve “Ylbere Bylykbashi” dhe “Kongresi i Lushnjës”, sapo kishte dalë nga puna me bashkëshortin e saj, u krijua një situatë tensioni në trafik me një automjet që, sipas saj u kishte bllokuar rrugën. Pretendon se bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar të hapte krahun, por nga mjeti tjetër morën sharje të rënda. Çifti vijoi rrugën, por pak më tej e njëjta makinë sipas saj, lëvizte shumë ngadalë para tyre.
Pas një tjetër sinjali me bori, automjeti ndaloi. Nga makina zbriti një i ri rreth 30 vjeç, i shoqëruar nga dy persona të tjerë dhe u afrua drejt tyre. Në ato momente zbriti edhe Gazment Buçpapaj dhe mes tyre nisi një përleshje fizike me grushte. Laureta Buçpapaj deklaron se ndërhyri duke shtyrë drejtuesin e mjetit tjetër dhe një nga personat që e shoqëronte.
Sipas saj, situata doli jashtë kontrollit brenda pak sekondash. Ajo thotë se pa të riun të gjakosur, ndërsa bashkëshorti e kapi nga krahu dhe u larguan me shpejtësi. Rreth 50 metra më tej, braktisën automjetin dhe vijuan në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Më tej ajo ka rrëfyer se pranë një pastiçerie morën një taksi dhe shkruan në banesë ku bashkëshorti i saj ndryshoi rrobat dhe u largua, duke mos marrë as telefonin me vetë.