Bota në prag të një tjetër lufte?! Irani përgatitet për sulmin e SHBA-së, kush është “kirurgu i zemrës” që Kahmenei i ka lënë në duar planin

Gazeta amerikane The New York Times ka publikuar një analizë të detajuar mbi planet e Iranit për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm dhe “retë e luftës” janë rikthyer mbi rajon.
Sipas shkrimit, që nga fillimi i janarit, ndërsa Irani është përballur me protesta të brendshme në Teheran dhe qytete të tjera si dhe me kërcënime të drejtpërdrejta nga Uashingtoni, udhëheqësi suprem Ali Khamenei i është drejtuar një prej njerëzve të tij më të besuar për të menaxhuar situatën, Ali Larijani.
Larijani, 67 vjeç, politikan me përvojë dhe ish-komandant i Gardës Revolucionare, aktualisht në krye të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, thuhet se ka marrë në dorë drejtimin efektiv të vendit. Ngritja e tij në këtë rol ka lënë në hije presidentin Masoud Pezeshkian, një kirurg zemre i kthyer në politikan, i cili ka pasur një mandat të vështirë dhe ka deklaruar publikisht: “Unë jam mjek, jo politikan”, duke theksuar se nuk mund të zgjidhë i vetëm problemet e shumta të Iranit.
Raporti i “NYT” bazohet në intervista me gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë tre anëtarë të Gardës Revolucionare si dhe me ish-diplomatë dhe burime pranë zyrës së Khameneit. Sipas tyre, Larijani ka qenë përgjegjës për shtypjen e protestave të fundit, ndërkohë që ka forcuar koordinimin me aleatë si Rusia dhe vende rajonale si Katari dhe Omani. Ai po ashtu mbikëqyr negociatat bërthamore me Uashingtonin dhe po harton plane për administrimin e vendit në rast lufte me SHBA-në.
Në një intervistë për Al Jazeera gjatë një vizite në Katar, Larijani deklaroi: “Ne jemi gati në vendin tonë. Jemi më të fortë se më parë. Gjatë shtatë apo tetë muajve të fundit kemi identifikuar dobësitë tona dhe i kemi korrigjuar. Nuk kërkojmë luftë, por nëse na imponohet, do të përgjigjemi.”
Udhëzimet e Khameneit
Sipas gazetës amerikane, Khamenei i ka dhënë udhëzime të qarta Larijanit dhe një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh politikë e ushtarakë që Republika Islamike të jetë e përgatitur jo vetëm për sulme ajrore amerikane apo izraelite, por edhe për skenarë ekstremë, përfshirë tentativa për eliminimin e drejtuesve të lartë të shtetit.
Burimet bëjnë të ditur se ai ka vendosur katër nivele zëvendësimi për çdo post kyç ushtarak dhe qeveritar që emërohet prej tij. Çdo drejtuesi i është kërkuar të caktojë deri në katër zëvendësues, në mënyrë që zinxhiri i komandës të mos ndërpritet në rast sulmi apo vrasjeje.
Një situatë e ngjashme, sipas raportit, ishte diskutuar edhe gjatë përplasjes 12-ditore me Izraelin, kur Khamenei kishte përzgjedhur tre kandidatë të mundshëm për ta pasuar. Larijani nuk ishte mes tyre, pasi nuk është klerik i lartë shiit, një kriter i domosdoshëm për postin e udhëheqësit suprem.
Megjithatë, ai mbetet pjesë e rrethit më të besuar të Khameneit, ku përfshihen edhe figura të rëndësishme si gjenerali Yahya Rahim Safavi, kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe shefi i shtabit Ali Asghar Hejazi.
Eksperti i njohur i çështjeve iraniane, Vali Nasr, nga Universiteti Johns Hopkins, vlerëson se Khamenei po përgatitet për çdo skenar: “Ai po përballet me realitetin. E di që trashëgimia e tij mund të lidhet me një luftë dhe po përgatit sistemin për pasojat, qoftë në planin e trashëgimisë, qoftë në atë ushtarak.”
Lëvizjet ushtarake
Sipas burimeve të cituara nga “NYT”, Irani po vepron me bindjen se një përplasje ushtarake me SHBA-në është e afërt, edhe pse negociatat për programin bërthamor vazhdojnë.
Teherani ka vendosur forcat e armatosura në gatishmëri të lartë dhe po zhvendos lëshues raketash balistike pranë kufirit perëndimor me Irakun, në distancë që mund të godasë Izraelin, si dhe përgjatë bregdetit të Gjirit Persik, brenda rrezes së bazave amerikane në rajon.
Në rast konflikti, forcat speciale të policisë, shërbimet e inteligjencës dhe njësitë e milicisë Basij, pjesë e Gardës Revolucionare, pritet të vendosen në qytetet kryesore për të parandaluar trazirat dhe për të identifikuar persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja.
Skenarët për mbijetesën politike
Përveç përgatitjeve ushtarake, udhëheqja iraniane po diskuton edhe skenarët e mbijetesës politike në rast se Khamenei apo figura të tjera kyçe do të eliminoheshin.
Sipas burimeve të intervistuara nga “NYT”, në krye të listës së emrave që mund të marrin drejtimin e vendit në një situatë emergjente është Larijani, i ndjekur nga Ghalibaf dhe ish-presidenti Hassan Rouhani, i cili megjithatë është distancuar vitet e fundit nga rrethi i ngushtë i pushtetit.
Logjika pas këtyre emrave lidhet me përvojën e tyre në drejtimin e shtetit dhe aftësinë për të menaxhuar një situatë krize, duke kufizuar reagimin negativ të opinionit publik edhe pse ndaj disa prej tyre ka pasur akuza për korrupsion apo shkelje të të drejtave të njeriut.
Në një rajon ku tensionet mund të shpërthejnë në çdo moment, Irani duket se po përgatitet për skenarin më të keq, si në fushën ushtarake, ashtu edhe në atë politike, duke sinjalizuar se përballja me SHBA-në nuk shihet më si një mundësi e largët, por si një rrezik real dhe i afërt.