Beteja ligjore për “Diellën”, aktorja Anila Bisha kërkon 1 milionë euro nga shteti për imazhin e ministres, DETAJE nga padia

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me padinë e aktores Anila Bisha për çështjen e ministres virtuale Diella.
Gjatë emisionit Të Paekspozuarit, gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se aktorja kërkon një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh, duke pretenduar se zëri dhe imazhi i saj janë përdorur përtej autorizimit të dhënë me kontratë.
“Ideja është këtu, zonja referon që kontrata, ka qenë për të përdorur imazhin për krijimin e avatarit të asistentit virtual të e-albania. Ajo ka konstatuar se janë riprodhuar dhe përdorur të dhëna, që ajo nuk ka dhënë asnjë aprovim.
Përshembull thotë, kryeministri e ka shpallur Diellën si ministre shteti për inteligjencën artificiale, pretendon se janë përdorur zëri dhe figura pa marrë miratimin. Përmend kur zoti Rama e ka prezantuar në media, në samite ndërkombëtare, etj. Ajo pretendon se nuk ka dhënë asnjë autorizim. Unë i jap të drejtë, nëse kjo ka ndodhur pa miratimin e saj, por si do ta provojë Anila Bisha se pas Diellës është kjo”, tha Klodiana Lala.
Nga ana tjetër, qeveria ka reaguar më herët duke thënë se padia është një e drejtë ligjore e ushtruar nga aktorja, por sipas palës tjetër pretendimi konsiderohet i pabazë.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa për Politico.al.
Çështja nisi pasi aktorja e njohur Anila Bisha paditi Këshillin e Ministrave dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të ministres Diella. Sipas padisë, Bisha përfaqëson zyrtarisht zërin dhe imazhin e Diellës, në bazë të një kontrate bashkëpunimi 1-vjeçare të nënshkruar një vit më parë.
Diella u prezantua publikisht më 19 janar 2025 si një asistente virtuale, e krijuar për të lehtësuar me zë, figurë dhe shpejtësi shërbimet online për qytetarët e çdo grupmoshe. Ajo shërbeu fillimisht si Asistente Virtuale e platformës kombëtare e-Albania, duke u bërë pjesë e përditshme e ndërveprimit të qytetarëve me shërbimet digjitale.
Më pas, me vendim të kryeministrit Edi Rama, Diella mori postin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, duke u kthyer në një rast unik të përfshirjes së teknologjisë së avancuar në strukturën qeveritare.
Sipas pretendimeve të aktores, përhapja e gjerë e përdorimit të Diellës në shërbime publike dhe ngritja e saj në post qeveritar ka tejkaluar kufijtë e marrëveshjes kontraktuale, e cila ka përfunduar më 31 dhjetor 2025. Në këto kushte, Bisha argumenton se vijimi i përdorimit të avatarit të krijuar me zërin dhe imazhin e saj është i paligjshëm.
Aktorja i ka kërkuar Gjykatës Administrative që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, të vendosë masën e sigurimit të padisë, duke pezulluar përdorimin e avatarit të ministres Diella. Në kërkesë theksohet se si pasojë e veprimeve të palës së tretë, asaj po i shkaktohet një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm.