Besfort Lamallari pa bërë 24 orë në zyrë, Ilir Proda nis “reformën” në polici dhe ndryshon shefat e komisariateve (EMRAT)

Pas “tërmetit” në qeveri, të tjera “lëkundje” janë regjistruar në vendin tonë, kësaj here në radhët e Policisë së Shtetit. Ende pa mbushur 24 orë si ministri i ri i Brendshëm, Besfort Lamallari mesa duket ka urdhëruar “reformën” në Polici.

Kryepolici Ilir Proda ka bërë një sërë ndryshimesh në nivel shefash. Burime për mediat bëjnë me dije se ndryshimet kanë prekur shefat e komisariateve nga juglindja deri në veri.

Konkretisht, Luan Sinaj nga shefi i Komisariatit të Krujës, është dërguar në Pogradec. Ndërkohë që vendin e tij e ka zënë Santiljano Ndreu, i cili më herët mbante postin e shefit të Krimeve në Komisariatin nr.5 në Kamzë.

Po ashtu, Gentian Dedej ësht emëruar shef i Komisariatit të Bulqizës.

Kujtojmë se këto ndryshime vijnë 12 orë pasi kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti Edi Rama, atëhere kur askush nuk e priste, vendosi që t’i surprizonte të gjithë me disa ndryshime drastike në kabinetin e tij qeveritar.

Lamallari i cili prej shtatorit mbante postin e Ministrit të Drejtësisë, me urdhër të kryeministrit u vendos në detyrën e ministrit të Brendshëm, post ky i mbajtur më herët nga Albana Koçiu, e cila prej së enjtes mbrëma u emërua zv.kryeministre.

Zv.kryeministrja e re dhe ministrat që do t’i shtohen kabinetit, por dhe ata që thjesht do të ndryshojnë “portofol” do të dekretohen në vijim nga presidenti Bajram Begaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT