Atentati me dy viktima në Rinas, Prokuroria e Tiranës ia kalon çështjen SPAK

SPAK do të marrë në dorë hetimet për atentatin e bujshëm pranë aeroportit të Rinasit, më 11 nëntor 2025.

Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, Prokuroria e Tiranës ia ka kaluar kompetencat Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion pasi ngjarja është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Tanimë do të hidhet shorti që të përcaktohet prokurori që do merret me çështjen.

Kujtojmë se prej atentatit mafioz, mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri. Ky i fundit drejtonte makinën me të cilën lëvizte Gilmando Dani, i cili mbeti i vrarë në vend nga breshëria e plumbave të armëve të zjarrit.

Pamjet e atentatit, momenti kur autorët i zënë ‘pritë’ Benz-it:

Shaljani i cili rezultoi se ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërroi jetë në spital, disa ditë pas atentatit.

Aq shumë u qëllua në drejtim të makinës ku ndodheshin ata, sa plumbat dëmtuan edhe një hotel që ndodhej aty pranë.

Ndonëse mbeti viktimë e atentatit, Muçi Shaljani nuk ishte objektivi i vrasësve. Hetuesit dyshojnë se shënjestër ishte miku i tij, Gilmando Dani, me të cilin 40-vjeçari u qëllua sapo u kthyen nga një vizitë disa ditore në Barcelonë.

Theksojmë se Policia ende nuk ka të dhëna për autorët e vrasjes, teksa verifikimet i ka shtrirë edhe në Spanjë, ku dy viktimat ishin para ekzekutimit.

Informacion është kërkuar edhe nga autoritetet greke, nga ku rezultoi se ishte vjedhur makina tip Toyota e 4 autorëve, së bashku me targat, të cilat u dogjën në fshatin Halil pas ngjarjes.

Rreth 5 kilometra nga ky vend, policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh në banesën e Ylli Zallës nga Fushë-Kruja. Ndonëse ky i fundit po hetohet nëse ka lidhje me atentatin, burime pranë policisë dhe prokurorisë i komunikuan TV Klan më herët, se nuk ka deri më tani asnjë provë që implikon 48-vjeçarin në vrasjen e Gilmando Danit dhe mikut të tij, Muçi Shaljani.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT