Agron Shehaj i “hapi derën” për Bashkinë e Tiranës, Ermal Hasimja i kthen shpinën “Mundësisë” dhe rreshtohet krah Berishës

Një zhvillim i ri politik ka sjellë përplasje brenda kampit opozitar, duke vënë në qendër të debatit qëndrimet e fundit të pedagogut, Ermal Hasimja, i cili prej javësh ka ndërmarrë një nismë për të bashkuar opozitën.

Së fundmi ai ka dalë publikisht kundër Agron Shehajt. Ndonëse vetëm disa muaj më parë, ishte pikërisht Shehaj ai i cili e propozoi Hasimjen si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës dhe i dha mundësinë që të hynte në “vallen” e politikës. Mirëpo, zhvillimet e fundit tregojnë një kthesë të fortë në raportin mes tyre dhe shkak si duket është bërë “dëshira e mirë” e tij për të bërë palë partitë opozitare.

Në këtë kuadër, ai ka bërë publike qëndrimet lidhur me procesin e negociatave, duke theksuar se disa subjekte kanë paraqitur kushte të panegociueshme, mes tyre “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, dhe “Mundësia” e Shehajt.

“Unë mendoj se kërkesat paraqiten në tryezë dhe jo si kusht, por e mirëkuptoj qëndrimin e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Është e drejta e saj legjitime të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare kundër qeverisjes aktuale ose të vazhdojë luftën e vetme. Po ashtu edhe “Mundësia””, shkruhet në reagimin e Hasimjes, ndërkohë që ky qëndrim i tij kundër “Mundësisë” është interpretuar si një goditje ndaj forcës që e promovoi politikisht vetëm pak kohë më parë.

Reagimi i pedagogut Ermal Hasimja:

Sqarim: Që kur i prezantuam z. Adriatik Lapaj dhe kolegëve të tij tryezën e bashkëpunimit mes partive opozitare, ai na paraqiti një listë me 5-6 kushte të panegociueshme. Detyra e Forumit të Dialogut Politik, ku bëj pjesë, është të mundësojë bashkëpunimin. Kërkesat u përcollën te 10 partitë e tjera që për hir të së vërtetës nuk vunë asnjë kusht, siç e do logjika e negociimit.

Unë mendoj se kërkesat paraqiten në tryezë dhe jo si kusht, por e mirëkuptoj qëndrimin e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Është e drejta e saj legjitime të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare kundër qeverisjes aktuale ose të vazhdojë luftën e vetme. Po ashtu edhe “Mundësia”. Nga ana tjetër, do të ishte po aq legjitim qëndrimi i partive të tjera të tryezës që të diskutojnë dhe të marrin vendime që realizojnë objektivat e tyre. Ndoshta një ditë këto objektiva do të përputhen me kushtet e panegociueshme të “Shqipëria Bëhet” dhe atëherë kjo e fundit mund të bashkëpunojë me partitë e tjera. Deri atëherë asnjëra palë nuk ka asnjë detyrim ndaj palës tjetër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT