Zegjine Çaushi ironizon Klevis Balliun në Parlament: Je bukurosh që vjen nga familje hajdutësh

Deputetja e re e PS-së Zegjine Çaushi është përplasur me deputetin e PD-së Klevis Balliu, gjatë seancës së sotme. Caushi ka deklaruar se Balli është i fundit që mund të flasë për administratën dhe të akuzojë mazhorancën.
“Si mund të dalë një bukurosh këtu dhe të na flasë për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh këtu dhe të flasësh… më dëgjo bukurosh më dëgjo se do të rifreskoj memorien ty dhe kolegëve. Ti përveç se vjen nga një fis i bukur, vjen dhe nga një familje hajdutësh, hajdutësh rrugësh madje, dhe vjen dhe bërtet se mendon se si ti bëjnë të gjithë. Në 2007 sapo u sistemuat në këto karrige të mazhorancës, yt at bashkë me tezen tënde, se vjen dhe na flet këtu për familjarët, Blerina Agolli hapin një shoqëri, shoqëri që kishte një fat të ndritur, të merrte të gjitha fondet e qeverisë, sepse ishte sekretare e përgjithshme në ministrinë e Kulturës”, tha ajo.
Teksa më pas ka ironizuar deputetin e PD-së, teksa i ka thënë Belind Këlliçit që duhet ta mësojë balliun si të flasë.
“Ja të mbaroj unë zoti Këlliçi dhe pastaj orientoje se çfarë mund të flasë. Tani i dashur bukurosh mund ta marrësh fjalën për replikë, dhe të thuash siç të mësoi Këlliçi”, tha Çaushi.
Ndërsa po ashtu me nota ironie Balliu i është përgjigjur Çaushit, teksa i tha: “Mund të të përgjigjesha edhe ty si koleges që s’ka doktor që të merr përsipër… Mbase nuk është shumë e edukuar ajo që thashë, por unë kam një problem, nuk gënjej dot, kjo është e vërteta”.