Zbehet “Metamorfoza”, Oltion Bistri dhe ish-prokurori i Kukësit lënë qelitë, 13 vite burg për Behar Bajrin

Ish-shefi i Forcës Lëvizëse Operacionale, Oltion Bistri dhe ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita janë liruar nga qelia. Ata u arrestuan me bujë për dosjen “Metamorfoza”, nga zbërthimi i komunikimeve sekrete në “SKY ECC”, mes eksponentëve të krimit dhe zyrtarëve shtetërorë.

Oltion Bistri është shpallur fajtor vetëm për veprën penale “Zbulim i akteve sekrete”, sepse të gjitha akuzat e tjera kanë rënë dhe është dënuar me 3 vite burg. Duke llogaritur gjykimin e shkurtuar dhe kohën në paraburgim, GJKKO ka urdhëruar lirimin e tij.

Edhe ish-prokurori i Kukësit që u kap në përgjime me kriminelët, është liruar. Gjykata e Posaçme e ka dënuar Xhevahir Litën me 5 vite burg dhe duke llogaritur uljen e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe qëndrimin në paraburgim, ka fituar sot lirinë.

Ndërkohë, togat e zeza kanë veçuar çështjen ndaj të pandehurve Ardit Hasanbegaj dhe Pëllumb Gjoka, të cilët gjithashtu ishin të akuzuar për dosjen “Metamorfoza”, duke vendosur që seanca për të ta të mbahet më datë 2 Dhjetor.

Dënimet për të akuzuarit e tjerë të kësaj dosje, janë dhënë respektivisht:

– Behar Brajovic dënohet me 13 vite burg, pas përfitimit të 1/3 së dënimit nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj burgim në regjim të sigurisë së lartë. (Akuzat: sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes në dëm të Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici)

– Edmond Preka dënohet me 10 vite burg, pas uljes së dënimit, do të vuajë 7 vite burgim.

– Asmer Bilali dënohet përfundimisht me 5 vite e 8 muaj burgim.

– Oltion Bistri shpallet i pafajshëm për akuzën e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Për veprën e “zbulimit të akteve sekrete” dënohet me 3 vite burg, të cilat pas uljes përfundon në 2 vite burgim. Gjykata urdhëron lirimin e menjëhershëm.

– Xhevahir Lita dënohet me 5 vite burg, dhe pas gjykimit të shkurtuar dënimi përfundon në 3 vite e 4 muaj burgim. Urdhërohet lirimi i tij, nëse nuk mbahet për vepra të tjera penale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT