VIDEO/ Frikë, panik dhe terror në Rinas, plumbat që vranë Gilmando Danin, thyejnë edhe xhamat e një biznesi

Atentati i sotëm në Rinas, ku humbi jetën në vend Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur Muçi Shaljani, ka tronditur opinionin publik, duke vënë sërish në pikëpyetje sigurinë në vend.
Breshëria e armëve u derdh mbi automjetin tip “Benz”, dhe për pasojë Dani nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ekzekutorët dyshohet të kenë qenë profesionistë, pasi arritën objektivin e tyre me saktësi. Megjithatë, detajet përfundimtare pritet t’i japin organet kompetente, të cilat po vijojnë hetimet.
Newsbomb.al ka siguruar një tjetër video, ku duken qartë gjurmët e plumbave që kanë përfunduar në xhamat e një biznesi aty pranë. Siç shihet edhe në pamje, goditjet kanë thyer xhamat dhe kanë shkaktuar panik tek klientët e pranishëm.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës po punojnë për të zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes. Automjeti tip “Toyota Yaris”, i përdorur në këtë krim të rëndë, është gjetur i djegur në fshatin Halilaj.