Ushtaraku i Pezë Helmësit që furnizonte me armë vrasësit, kush është i arrestuari te “Rruga e Dibrës”, punonte taksist dhe shpërndante pistoleta e kokainë

Altin Celami është personi i arrestuar nga shërbimet e Policisë së Tiranës në zonën e njohur si “Rruga e Dibrës” në kryeqytet, pasi me mjetin e tij tip taksi shpërndante armë zjarri për grupet kriminale dhe lëndë narkotike, kryesisht kokainë.

Efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Gun Expert”.

Ushtaraku i Pezë Helmësit që furnizonte me armë

Pamje nga operacioni i Policise ne Tirane

Altin Celami, 46 vjeç dhe banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë teksa drejtonte automjetin tip taksi, pas një operacioni të ndjekur me metoda speciale hetimi.

Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Altin Celami nuk është një emër i panjohur për autoritetet e zbatimit të ligjit, pasi është arrestuar dhe tre vite më parë, për të njëjtën akuzë, se blinte armë zjarri kundrejt pagesës dhe më pas ua shiste ato grupeve kriminale dhe vrasësve me pagesë.

46 vjeçari ka qenë ushtarak në Repartin e Pezë Helmësit, por për arsye të panjohura ishte pezulluar nga shërbimi, deri kur u arrestua në 2022.

Megjithatë, mendohet se strukturat e Ushtrisë Shqiptare kanë pasur informacion për veprimtarinë e paligjshme të Altin Celamit dhe ndaj e kishin pezulluar. Tre vite më parë, ai u akuzua për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT