Të gjithë duan para! Denar Biba i “Konkurrencës”: Jemi në zyrat e vitit 2004, kemi 35 zonja në institucion që shkojnë në një tualet

Drejtuesi i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba ka raportuar këtë të enjte para deputetëve, në Komisioni për Nismat Qytetare, dhe ka kërkuar më tepër financim për institucionin që drejton. Sipas tij, AK-ja ndodhet ende në zyrat e 2004, dhe tashmë dy dekada më pas kushtet kanë ndryshuar.
Denar Biba ju ka treguar deputetëve se ashtu si në vitin 2004 kur institucioni kishte 13 punonjës, edhe sot që 49 në total, duhet të punojnë në të njëjtat ambiente, të cilat sipas kreut të Konkurrencës nuk janë të mjaftueshme për nga hapësira.
Madje, ai ka marrë dhe një shembull banal kur ka treguar se në institucion është vetëm një tualet dhe 35 zonja që punojnë aty, duhet të përdorin vetëm atë.
“Ky institucion është krijuar në 2004, në momentin e krijimit ka pasur 13 punonjës dhe është zhvendosur në ambientet aktuale ku ka edhe sot pas 21 vitesh. E ka nisur punën me 13 punonjës sot jemi 49, jemi në po të njëjtat ambiente. Ne jemi në kushtet edhe të problematikave të higjienës.
35 zonja që shkojnë në një tualet, është banale që po e them, por ka ardhur momenti për ta thënë se nuk mban më. Nuk ka arkiva, në ambientet ku bëjmë mbledhje përdoret për arkivë. Muret janë plot me dosje, që nuk duhen mbajtur ashtu, por nuk kemi ku ti mbajmë”, është shprehur Denar Biba.
Dy ditë më parë, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese i kërkoi Kuvendit më shumë para për përmirësimin e kushteve. Gjithashtu, edhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme gjatë raportimit në Komisionin përkatës kanë kërkuar rritjen e mbështetjes buxhetore.