Rama: Nisim indeksimin e pagave në sektorin publik. Në Shëndetësi dhe Policinë e Shtetit do llogaritet edhe vjetërsia e punës

Kryeministri Edi Rama njoftoi se me projektbuxhetin e vitit 2026 do të nisë një praktikë e re për indeksimin vjetor të pagave të punonjësve të sektorit publik, duke përfshirë si nivelin qendror, ashtu edhe atë vendor.

Rama tha se kjo masë synon stabilizimin e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe forcimin e politikës sociale, duke garantuar që rritjet e pagave të ndjekin nivelin e inflacionit dhe të mos humbin vlerën reale.

“Ka një lajm të mirë për projektbuxhetin 2026, që është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor për pagat e punonjësve të sektorit publik, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë vendor. Pagat do të rregullohen çdo vit në bazë të inflacionit. Kjo është një politikë e re pagash, e cila, e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale, do të shtojë 100 milionë euro në vitin 2026, shumës së mandatit të katërt do të vërë në dispozicion për rritjen e fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore”, tha Rama.

Sipas Ramës, 10,600 punonjës të shërbimeve publike do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj. Për specialistët e administratës publike, rritja do të jetë 5 mijë lekë në muaj, ndërsa për mësuesit parashikohet një rritje prej 3 mijë lekë të reja në muaj.

Për herë të parë, në sektorin e shëndetësisë dhe Policisë së Shtetit, tha Rama, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë.

“Konkretisht 10 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollist, arkivist, magazinier do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj, për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë në muaj, mësuesit do përfitojnë pagë 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj dhe për herë të parë në sektorin e shëndetësisë përveç indeksimit vjetor do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit përveç indeksimit do të ketë edhe rritje për vjetërsinë në punë”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT