Pesë orë hetime në Rinas: Ekspertët “ngujohen” mes gjurmëve të gjakut dhe provave balistike! Policia e Tiranës merr në dorë “Benzin” luksoz ku u vra Gilmando Dani (VIDEO)

Një atentat i rëndë tronditi këtë pasdite zonën pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, një emër i njohur i botës së krimit, ndërsa u plagos rëndë shoferi i tij, Muçi Shaljari, i cili ndodhet në rrezik për jetën në Spitalin e Traumës.

Ngjarja ndodhi sapo Dani kishte dalë nga terminali i aeroportit dhe po lëvizte me një automjet luksoz tip Mercedes S-Class. Persona ende të paidentifikuar e zunë në pritë dhe hapën zjarr me breshëri automatike, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të panjohur.

Forca të shumta policie dhe ekspertë të Kriminalistikës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku nisën një operacion të gjerë hetimor. Për më shumë se 5 orë, grupet e ekspertëve u “ngujuan” në perimetrin e sigurisë, duke kryer çdo procedurë sipas standardeve të hetimit shkencor.

Burime nga grupi hetimor bëjnë për Newsbomb.al me dije se koha e gjatë e qëndrimit të tyre lidhet me kompleksitetin e provave materiale që duhej të fiksoheshin në mënyrë të saktë. Në vendngjarje janë kryer matje balistike për përcaktimin e trajektores së plumbave, janë mbledhur gëzhojat, gjurmët e gjakut dhe ato daktiloskopike, ndërsa është bërë dokumentimi i plotë fotografik dhe filmik i çdo elementi që mund të ketë vlerë provuese.

Sipas të njëjtave burime, çdo detaj është regjistruar në përputhje me nenin 293 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton se vendi i ngjarjes duhet të ruhet i paprekur deri në përfundim të veprimeve hetimore, për të garantuar vlefshmërinë e provave dhe besueshmërinë e konstatimeve kriminalistike. Ky standard procedural është i domosdoshëm, sidomos në ngjarje të natyrës së rëndë penale, ku dyshohet për vrasje me paramendim, e parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Pas përfundimit të veprimeve në terren, automjeti luksoz S-Class, në të cilin ndodheshin dy personat, është larguar nga Rinasi nën masa të rrepta sigurie dhe është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për ekspertizë të detajuar.

Brenda tij janë gjetur gjurmë gjaku, gëzhoja dhe fragmente xhami, që do t’i nënshtrohen analizave laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore. Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka urdhëruar sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë dhe verifikimin e kontakteve të fundit të viktimës.

Pista kryesore e hetimit lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale aktive në kryeqytet dhe zonën e Fushë-Krujës, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli në disa akse hyrëse e dalëse të Tiranës në përpjekje për të rënë në gjurmët e autorëve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT